Ndërkohë që të gjithë instancat shtetërore e shëndetësore po bëjnë thirrje për distancim social, në veçanti në klube e lokale, me sa duket rinia është ajo që e harron koronavirusin më shumë se grupmoshat e tjera.
Këtë të diel, në një nga resortet e bregdetit të Durrësit, këngëtari i mirënjohur Ledri Vula mblodhi një numër të madh fansash në koncertin buzë detit, të cilët harruan që po jetojnë në kohë pandemie dhe virusi ende nuk ka ikur.
“DurrësLajm” sjell këto pamje nga lokali ku performoi sot artisti aq i preferuar për rininë, ku situata pasqyrohet serioze dhe shqetësuese. Ndonëse në ambient të hapur, të rinjtë shihen duke festuar ngjitur njëri me tjetrin në kundërshtim të hapur kundër masave anti-covid, sikur asgjë s’po ndodh!
Përballë numrave të të infektuarve në rritje, po ashtu edhe fataliteteve, sjellja e një pjese të të rinjve shqiptarë nuk është trimëri, por papërgjegjshmëri duke krijuar terren për infektimin dhe përhapjen e koronavirusit. Ata po sfidojnë hapur koronavirusin edhe kontrollet e shtetit po ashtu, teksa nga ana tjetër janë edhe bizneset ato që po i lejojnë këto organizime duke thyer në mënyrë të hapur protokollet e sigurisë të masave anti-covid.
Të mos harrojmë se virusi është ende nën mesin tonë, madje shumë më frikshëm se më parë!





