Dorina dhe Kristina janë mes 20 nxënësve të ciklit të mesëm të shkollës artistike “Jan Kukuzeli” që mbrëmjen e së premtes ishin pjesë e ekspozitës “Rinia krijon kulturë” të hapur në galerinë e artit pamor “Nikolet Vasia”.

Durrësi, me antiken dhe kontemporanen, ishte në fokusin e të gjItha tablove dhe skulpturave të realizuara në harkun kohor të dy muajve të fundit.

Një amforë antike e thyer, në brendësi të së ciles shfaqen disa nga monumentet dhe pikëtakimet kryesore të qytetit bregdetar është punimi me të cilin Kristina Qatollari paraqitet në këtë ekspozitë.

Ndërsa shpjegon me fjalë, atë që piktura e saj “shpreh” me ngjyra, 17-vjeçarja na tregon se piktura për të është më tepër se pasion të rinjsh.

E kam nisur që në vogëli, e kam gjetur si talent dhe besoj se do e vazhdoj për shumë gjatë. I kam bërë 12 vjet tashmë”, thotë ajo ndër të tjera.

Ndërsa Dorina Gjini, frymëzuar nga mjeshtri ndërkombëtar Van Gogh, ka sjellë në këtë ekspozitë një tablo ku shfaqet një nga simbolet e qytetit, porti detar, që mbase s’do ta kemi më në të njëjtin vend.

Mendova të sjell diçka ndryshe me veprën e famshme të Van Gogh duke e ndërthurur me portin, natën, yjet. Kjo është një nga eksperiencat e mia të para dhe jam që fantazinë, punën më të madhe e gjithçka tjetër ta sjell këtu”, tregon për “DurrësLajm” ajo.

Kjo ekspozitë u hap në kuadër të Ditës Kombëtare të Rinisë dhe u mbështet nga Qendra “Durrësi Aktiv” përmes projektit “Tirana Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022”.

M.B.