Përfundimi i sezonit veror ka rikthyer në plazhin e Durrësit mjetet e rënda. Ndërsa faza e dytë e rehabilitimit të shëtitores bregdetare të plazhit të Durrësit ka përfunduar, tashmë ndërhyrja është fokusuar në zgjerimin e brezit të rërës përgjatë gjithë gjatësisë së plazhit.

Investimi me vlerë 365 milionë lekë po realizohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe financohet nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). 

Ndërhyrja është përqendruar tani në sektorin “Iliria”, në pjesën fundore të projektit, i cili shtrihet nga Ura e Dajlanit deri tek godina e Kavalishencës, Durrës.

Në zonë po depozitohen sasi të konsiderueshme rëre, të cilat sillen me kamionë dhe mjetet e rënda më pas bëjnë mbushjen e vijës bregdetare.

Mbushja e bregdetit me rërë u zbatua fillimisht në vijën bregdetare pranë Urës së Dajlanit, aty ku brezi i rërës është më i ngushtë, sesa në sektorët e tjerë të plazhit të Durrësit.

Mbetet për t’u parë nëse rëra e depozituar tani do t’i rezistojë baticave detare, apo do ta marrë deti me vete gjatë periudhës së dimrit.

Në shtator të vitit të kaluar, kur bashkia Durrës zhvilloi dëgjesën publike për projektin, ish-drejtori i Projekteve dhe Infrastrukturës Publike në bashki, Lorenc Facja deklaroi për “DurrësLajm”:

“Do të kemi një uniformitet të të gjithë brezit të rërës të plazhit të Durrësit. Ky brez rëre do të shtohet me një gjerësi 25-30 metra gjatë të gjithë gjatësisë së saj, nga Ura e Dajlanit deri në murin e ish-Bllokut. Do të ketë prishje të strukturave ekzistuese dhe uniformitet të brezit të rërës”.

M.B.