Ka rinisur procesi i numërimit të votave për kandidatët e qarkut të Durrësit. Teksa ky proces ka përfunduar në bashkitë Shijak e Krujë, në atë të Durrësit aktualisht janë numëruar 130 nga 335 në total.

Nga votat e numëruara deri më tani në nivel qarku, deputeti socialist, Rrahman Rraja është kandidati më i votuar, i cili ka grumbulluar 7363 vota.

Rraja ndiqet nga kryeministri Edi Rama, me 7026 vota dhe i treti renditet deputeti Jurgis Çyrbja me 4977 vota. I shtati në listën e socialistëve, por i katri më i votuar, deputeti Lefter Koka ka siguruar 4254 vota.

Ndërsa nga Partia Demokratike, studentja 22-vjeçare, Andia Ulliri vazhdon të kryesojë si demokratja më e votuar, me 5289 vota. Ajo ndiqet nga mjekja Manjola Luku, e cila ndonëse renditet e 9-ta në listë, ka mbledhur deri më tani 4675, duke lënë pas dhe figurat më të vjetra të Partisë Demokratike, si Edi Paloka (2110 vota), Oerd Bylykbashi (1792 vota) apo Ferdinand Xhaferaj (2206 vota).

Një tjetër demokrat i votuar është Igli Cara, 3379 vota, i ndjekur nga krytari i PD Shijak, Rezeart Tusha me 3061 vota. Nga 481 kuti votimi në të gjithë qarkun e Durrësit, aktualisht janë numëruar 276 prej tyre.