Rinis në Gjykatën e Posaçme procesi gjyqësor ndaj Moisi Habilajt dhe tre të pandehurve tjerë, Nezar Seiti, Meridian Sulaj dhe Fatmir Minaj.
Në prill 2023, Apeli i Posaçëm e ktheu çështjen për rigjykim, por me tjetër trupë gjykuese. Apeli i Posaçëm ka konstatuar shkelje procedurale gjatë fazës së gjykimit në mungesë.
Moisi Habilaj u dënua në atë kohë me 10 vite burg për trafik dhe kultivim narkotikësh në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, dhe me nga 9 vite Nezar Seiti, Meridian Sulaj dhe Fatmir Minaj. Ata u gjykuan me proces të shkurtuar.
Moisi Habilaj rezulton i dënuar edhe nga drejtësia italiane me 15 vite burg. Ai ndodhet në arrati prej disa vitesh, pasi theu masën e arrestit në shtëpi në shtetit fqinj. Grupi i drejtuar nga vëllezërit Habilaj akuzohet se ka trafikuar përtej Adriatikut shqiptare drejt brigjeve italiane, gati 30 tonë kanabis në 4 vite në vlerën e 300 milionë Eurove.
Habilajt u hetuan në të njëjtën dosje ku u hetua edhe ish-ministri Saimir Tahiri, i dënuar me 3 vite e katër muaj burgim për shpërdorim detyre.