Ka nisur sërish puna për ndërtimin e kompleksit të pallateve të banimit në zonën e Kodër Vilës, një muaj pasi punimet u ndërprenë nga tërmeti i 26 nëntorit.
Banorët janë vënë në alarm ndërsa vijojnë betejën ligjore në Gjykatën Administrative të Durrësit, për pezullimin e punimeve.
Ata thonë se skandali më i madh qëndron në faktin se është e njëjta firmë ndërtimi, të cilës i është prishur një kompleks banimi prej 280 apartamentesh nga tërmeti i një muaji më parë.
Pallatet e ndërtuara nga kjo firmë janë kthyer të pabanueshme, ndërsa gjykata ende nuk është bindur për të bllokuar punimet në Kodër Vilë, tha Enton Dimni, banor i zonës.
Bashkia e Durrësit, në kohën që kryetar ka qenë Vangjush Dako ka firmosur lejen e ndërtimit të një kompleksi pallatesh në Kodër Vilë, një zonë me erozion të madh, e që kish mbetur e vetmja e pacënuar nga ndërtimet shumëkatëshe.
Kompania Jedas Sh.p.k., ndërtuese e këtij projekti, rezulton se është edhe ndërtuese e kompleksit në lagjen 17, të cilin e vizitoi kryeministri Edi Rama me presidentin Vuçiç, mjaft i dëmtuar nga tërmeti në Durrës.
K.H.





