Afro një muaj e gjysmë pas grabitjes spektakolare në pistën e Rinasit, rinisin transfertat e parave të bankave të nivelit të dytë jashtë Shqipërisë. Ndryshe nga më herët ajo që bie në sy është se brenda pistës kanë hyrë punonjësit e policisë, të cilët janë të armatosur.
Prania e forcave të policisë brenda pistës, duket se është një nga masat shtesë të marra nga institucionet me qëllim për të shmangur ngjarje të tjera të rënda siç ishte ajo e 9 prillit, ku një grup kriminal i armatosur depërtoi brenda pistës duke marrë nga barku i një avioni miliona euro, që do të transportoheshin drejt Vjenës.
Më herët, policia qëndronte në rrethimin e jashtëm të aeroportit dhe reagonte vetëm kur sinjalizohej nga shoqëria private e sigurisë në Rinas. Në ngjarjen e fundit, policia pas sinjalizimit u vu në ndjekje të grabitësve, ku gjatë shkëmbimit të zjarrit mbeti i vrarë Admir Murataj, një personazh me rekorde kriminale në Greqi e Shqipëri në fushën e vjedhjes së bankave.
Pas megagrabitjes brenda aeroportit, që u konsiderua si cënim i sigurisë kombëtare, siguria e Rinasit është marrë në dorë nga ushtria.





