POGRADEC 09 shkurt 2014 – Rinis puna në rrugën buzë liqenit të Pogradecit që ishte ndërprerë prej muajsh duke u shndërruar në një makth për drejtuesit e automjeteve që qarkullonin në këtë aks të rëndësishëm. Lajmin për rinisjen e punimeve e bëri të ditur kryeministri Edi Rama me anë të një postimi në rrjetin social, Facebook. Sipas Ramës, shkak për ndërprerjen e punimeve u bënë borxhet e qeverisë së mëparshme. 

“Sot gjatë inspektimit të rrugës turistike të buzëliqenit të Pogradecit, ku puna u bllokua me muaj të tërë nga borxhet e qeverisë së mëparshme dhe ku është vënë në zbatim një tjetër projekt skandaloz i qeverisë së mëparshme, pa asnjë përgjegjshmëri urbane e mjedisore. Tanimë shlyerja e borxhit ndaj kompanisë është garantuar, puna ka rinisur dhe paralelisht do të punohet për përmirësimin sa më të madh të projektit. Duam që kjo rrugë të jetë një tjetër shembull i prekshëm i Shqipërisë së rilindur përmes standardesh të reja sigurie e hijeshie urbane”, u shpreh Rama.