TIRANË, 23 mars 2013 – Kërkimet për gjetjen e trupit të 11-vjeçarit Julian Çela kanë rinisur sërish sot, pasi dje përpjekjet rezultuan pa sukses. 

Kur është bërë afro një javë nga kërkimet për trupin e vogëlushit në landfillin e Sharrës, ende nuk ka asnjë shenjë për trupin e tij. 

Rreth orës 09:30 të mëngjesit të sotëm në landfill kanë mbërritur forcat xheniere.

Kërkimet në Sharrë kanë nisur pas deklaratës së Ardian Prenjasit i cili pasi ka pranuar se ka vrarë të miturin, ka rrëfyer se trupin e pajetë e ka hedhur në plehra. 

DYSHIMET

Prej afro një jave, historia e 11-vjeçarit të zhdukur, Julian Çela, është mbështjellë me mister dhe dyshime.

Fillimisht, monstra Ardian Prrenjasi pohoi se trupin e ka hedhur në landfillin e Sharrës, por më vonë e ndryshoi versionin duke pohuar se e ka groposur vetë, duke ndryshuar edhe pozicionin e fillimit.

 

Pedofili Ardian Prenjasi konfirmon: Julianin e vrava

Dyshimet në mosvërtetësinë e deklarimeve të Ardian Prrenjasit, kryesisht me vrasjen dhe zhdukjen e kufomës së 11-vjeçarit Julian Çela, duket se janë hedhur poshtë gjatë procesit të dytë të marrjes në pyetje. Pohimet e mikeshës së Prrenjasit, A. D., e cila dyshonte se i arrestuari gënjen për të fshehur ndonjë person tjetër dhe se Julian Çelën mund ta kishte trafikuar, i mohoi vetë i akuzuari mbrëmjen e së enjtes. 

Ai rikonfirmoi se Julian Çelën e ka mbytur me duar dhe ka zhdukur kufomën e tij. Burime nga grupi hetimor thanë se 45-vjeçari ka qenë shumë i përpiktë në gjithçka që ka thënë, duke mos devijuar nga asnjë detaj i atyre shpjegimeve që kishte dhënë në dëshminë tronditëse kur tha se kishte vrarë djalin e zv.drejtorit të Antiterrorit në SHISH. Ai ka shpjeguar me përpikëri ngjarjet, si rrëmbimin, vrasjen dhe zhdukjen e Julianit, ashtu edhe të djalit 10-vjeçar A. Ç., ngjarje pas së cilës u arrestua brenda banesë së tij në Laprakë. Gjithashtu ka pranuar se ka kryer veprime të turpshme edhe me një djalë tjetër 12 vjeç, me të cilin mohon të ketë abuzuar, por e ka prekur në vende intime. Ky është djali i mikeshës së tij A. D., me të cilin ai shoqërohej shumë shpesh, madje deklaron se e merrte me vete me makinën e plehrave gjatë kohës që transportonte mbetjet urbane drejt Sharrës. 

DESHMIA PER JULIAN ÇELEN 

Shpjegimin për rrëmbimin, vrasjen dhe zhdukjen e trupit të Julian Çelës, Prrenjasi e ka bërë në të njëjtën mënyrë si në deklarimet e para. Ai ka treguar se pasditen e një dite nga fundi i muajit nëntor, rreth orës 19:00, ka dalë nga shtëpia dhe është nisur për të shkuar te KMY-ja, pasi zakonisht çdo pasdite pinte kafe aty. 

Rrugës për të shkuar te kafja ka parë duke ecur në rrugën drejt karburantit me kupolë një djalë në moshë të vogël, rreth 10-11 vjeç. Kur e ka parë djalin, për shkak se rreth e rrotull nuk ka pasur njerëz të tjerë, i ka folur atij duke i thënë se ishte nisur për te supermarketi të blinte diçka, por kishte harruar paratë në shtëpi. Njëkohësisht i ka kërkuar nëse mund të shkonte me të deri te banesa, duke i thënë se mund t’i jepte edhe një bakshish. Djali ka pranuar, por kur ka shkuar te shtëpia, po qëndronte në oborr. Prrenjasi i ka thënë atij të futej brenda banesës sa të merrte lekët. Pasi djali është futur në banesë, Prrenjasi ka mbyllur derën me çelës nga brenda. Në atë moment djali ka qëndruar i shtangur dhe ai i ka thënë të zhvishej. 

Djali ka refuzuar dhe ka nisur të largohet drejt derës duke bërtitur dhe 45-vjeçari e ka kapur duke i thënë: “Pusho se të vrava”. E ka shtrënguar me duart në fyt për disa çaste, derisa ai ka rënë në tokë dhe aty ka kuptuar që djali ka vdekur. “E kam mbështjellë me një qilim të kuq. Kam dalë jashtë dhe pashë që nuk më kishte dëgjuar njeri. Më pas e kam hedhur trupin në kazanin e plehrave rreth orës 23:00, pasi në atë orë vinte makina e plehrave që zbrazte kazanët. Një ditë pas ngjarjes kam shkuar në Sharrë për të verifikuar nëse ishte trupi. Nuk e kam parë, po me sa di unë, duhet të jetë hedhur në zonën nr. 2 të landfillit”. Kjo ka qenë dëshmia e tij për Çelën. 

/e.d. Panorama/

Romët e Sharrës: Adriani merrte fëmijët tanë në makinë

Ardiani ka marrë disa herë në makinën e tij edhe fëmijët tanë… I çonte në shkollë…" Kështu janë shprehur disa banorë të komunitetit rom, të cilët e kanë njohur "monstrën e Laprakës", Ardian Prrenjasin, në kohën që ky i fundit ka punuar si shofer i makinave të firmës së pastrimit, ku 45-vjeçari ishte i punësuar. Vetëm pak hapa larg landfillit të Sharrës, ku hidhen tonelata mbetjesh, ndodhen banesat e disa pjesëtarëve të komunitetit rom, të cilët e kanë njohur "monstrën e Laprakës" si një njeri të mirë dhe të respektuar. "E kishim parë që punonte si shofer i makinave që hidhnin mbeturinat. Nuk e njihnim mirë, por me aq sa kishim parë, na dukej njeri i mirë. U habitëm kur e pamë në televizor. Nuk dukej njeri i keq dhe që bënte këto veprime", – pohon një nga banoret e këtij komuniteti, madje, ajo shton se në disa raste Ardian Prrenjasi ka marrë në makinën e tij edhe fëmijët e tyre, që i çonte, ose në shkollë, ose për të lypur. 

Dëshmia

Një nga fëmijët që 45-vjeçari Ardian Prrenjasi ka marrë në makinën e tij, është djali i Donikës, njërës prej këtyre banoreve. Në një rrëfim për "Gazetën Shqiptare", ajo pohon se djali i saj ka hipur në makinën e tij, sepse ai e gjente në rrugë dhe e çonte në shkollë. "E kam pyetur djalin dhe më tha që nuk e ka ngacmuar. Ndoshta ka pasur frikë nga ne", – pohon gruaja. 

E njihnit Ardian Prrenjasin?

Po, e njihnim, sepse punonte si shofer tek makinat që sillnin mbeturinat në Sharrë. Dukej njeri i mirë, nuk ta mbushte mendjen për njeri të tillë. Kur e pamë në televizor, u habitëm që ai njeri kishte bërë ato veprime. Në makinën e tij ka marrë disa herë edhe djalin tim, e gjente në rrugë dhe e çonte në shkollë. 

Sa vjeç është djali juaj?

Djali është 10 vjeç. Më ka thënë se disa herë e ka gjetur në rrugë dhe e ka marrë në makinë. 

E keni pyetur djalin se çfarë i thoshte gjatë rrugës apo nëse e ka ngacmuar?

Po, po, e kam pyetur. Kur mora vesh për ato që ai ka bërë, e pyeta djalin dhe më tha që rrugës nuk i fliste fare dhe nuk e ka ngacmuar. E pyeta djalin se mos i ka bërë edhe atij ndonjë gjë, por djali nuk më tha gjë. Por, unë them se nuk i ka bërë asgjë, sepse ka pasur frikë se mos ai na tregonte neve dhe kishte frikë prej nesh. 
 

Po tani që e keni marrë vesh si histori, cila është gjëja e parë që ju shkon në mendje?

Tani them që, shyqyr që na kanë shpëtuar fëmijët, se ai paska qenë një kriminel i fshehur.

Meqë ju e dini mekanizmin e grumbullimit të mbeturinave duke qenë se keni punuar, mendoni se mund të gjendet trupi i Julian Çelës?

Unë kam vite që merrem me atë punë, derisa mbeturinat u mbyllën dhe atje punojnë vetëm persona të autorizuar. Nëse do ishin akoma mbeturinat hapur, ne do e kishim gjetur patjetër trupin e tij. Por, tani që mbeturinat janë mbyllur dhe që unë e di se sa shumë mbeturina hidhen këtu, me tonelata, është vështirë të gjendet trupi i tij. Madje, ai nuk është as në vendin ku ata e kërkojnë, sepse kur hidhen mbeturinat, ato i sistemon më vonë traktori dhe gjatë punës, mbeturinat shtyjnë njëra-tjetrën. Nëse trupi i fëmijës ndodhet këtu në Sharrë, ai nuk është në vendin ku gërmojnë ata, sepse gjatë punës që ka bërë traktori për sistemimin e mbeturinave, ai ka rrëshqitur më poshtë, gjithmonë nëse traktori nuk e ka copëtuar.

/a.k. BalkanWeb/