Të gjitha banesat që do të rinovohen ose do të ndërtohen të reja do të duhet të zbatojnë disa kritere që lidhen me eficiencën energjetike, duke synuar mbrojtjen e mjedisit, por edhe uljen e konsumit të energjisë.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin “Për performancën energjetike të ndërtesave”.
Projektligji ka për qëllim promovimin dhe përmirësimin e performancës energjetike të ndërtesave, ndërsa përcakton dhe kriteret, kushtet, kërkesat dhe standardet për rritjen e performancës energjetike të ndërtesave.
Përveç kësaj, projektligji prek në brendësi dhe aspekte të tjera që lidhen me tranzicionin energjetik në ndërtesa që lidhen me infrastrukturën e qëndrueshme alternative për lëvizshmëri në ndërtesa, kërkesa mbi cilësinë e mjedisit të brendshëm si dhe aspekte të tjera siç janë varfëria energjetike dhe familjet e cenueshme.
Kështu duke nisur nga 2026-a, të gjitha ndërtesat e reja duhet të projektohen për të shfrytëzuar energjinë diellore në bazë të rrezatimit diellor të zonës dhe për të mundësuar instalimin e teknologjive diellore me kosto efektive. Po ashtu parashikohet që të gjitha godinat e reja duhet të jenë pa emetime nga viti 2028 dhe ato publike nga viti 2030.
Për të nxitur këto investime qeveria ka parashikuar edhe skema mbështetëse Në draft përcaktohet që parashikohet që nga viti 2026, të gjitha ndërtesat që ofrohen për shitje ose me qira duhet të kenë certifikatën e performancës energjetike, e cila duhet të shpallet në reklamat përkatëse.
Duke filluar nga 1 janari 2026, sistemet teknike në ndërtesa do të inspektohen në intervale të caktuara, përfshirë sistemet e ngrohjes, ventilimit dhe kondicionimit të ajrit me fuqi nominale efektive mbi 70 kW.
Sistemet do të inspektohen të paktën çdo tre vjet; ato me gjeneratorë nxehtësie ose impiante ftohës mbi 290 kW do të inspektohen çdo dy vjet.
Këshilli i Ministrave miraton planin kombëtar për rinovimin e ndërtesave, duke synuar transformimin e stokut në një stok me performancë të lartë energjetike deri në vitin 2050.