Spanjë, 28 prill 2014 – Kontrata e re e Lionel Messit te Barcelona vazhdon të jetë një çështje e hapur, pavarësisht sigurisë që japin vazhdimisht të dyja palët për një proces që do të mbyllet pa surpriza, madje burime nga klubi, të cituara pak ditë më parë nga e përditshmja El Mundo Deportivo, garantuan se marrëveshja me 85% mund të quhet e mbyllur.

Tani është radha e argjentinasit që topin e ka shkelmuar nga ana e drejtuesve të klubit me kërkesat e tij konkrete, 20 milionë Euro pagë neto për sezon plus 3 milionë të tjera nga bonuset. Presidenti Bartomeu e priste prej kohësh këtë përgjigje të sulmuesit dhe kjo vonesë e ka çuar deri aty sa të mendojë se Messi ndoshta planifikon largimin.

Gjithsesi është e sigurt se nuk është kjo përgjigja që të gjithë në hierarkinë e blaugranave prisnin, bëhet fjalë për gati 2 milionë Euro më shumë nga propozimi që i ishte paraqitur Messit. Në ditët e ardhshme, i ati dhe njëkohësisht agjenti i tij, Jorge Messi, pritet të mbërrijë në Barcelonë për të diskutuar për dy tema të nxehta që mbajnë hapur çështjen e kontratës.

Së pari duhet fiksuar paga dhe bonuset dhe pika tjetër delikate është ajo e imazhit të Leo Messit. Nga ana e klubit për herë të parë kërkohet që imazhi i tij të përdoret i vetëm, pra në spote të mos shoqërohet nga shokët e skuadrës siç ka ndodhur deri më sot, por në këtë pikë duhet parë se si do të jetë kompensimi për futbollistin.

Me diskutimet në vazhdim e sipër, Barça është e vendosur që e gjithë kjo histori të mbyllet para fundit të sezonit e Messi të shkojë i qetë në Botëror, në të kundërt spekulimet për të ardhmen e tij larg blaugranave janë të paevitueshme.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/