Një fillim sezoni si protagonist te Reali i Madridit dhe mbi të gjitha ai 2 golësh në fitoren fantastike 3-0 të Spanjës ndaj Italisë në elimintoret e Botërorët, kanë bërë që të gjithë reflektorët të ndricojnë mbi të. Francisco Alarcon Suarez, i njohur nga të gjithë si Isco po kalon një moment me të vërtetë të artë.
Duke parë shifrat e shpenzuara në këtë merkato nga Paris Saint Germain për blerjet e Neymar dhe Mbappe, Reali i Madridit ka vendosur të mos rrezikojë me 25-vjeçarin i cili është shumë i kërkuar nga klubet e tjera europiane, duke e blinduar Iscon me një kontratë të re deri në 2022-shin.
Por lajm nuk përbën marrëveshja e re e mesfushorit me Los Blancos as paga prej 6 milionë Eurosh në sezon që do të përfitojë ish-mesfushori i Malagas, por klauzola që Reali i ka vendosur në kontratën e re.Nëse Paris Saint Germain, Barcelona, Manchester United, Manchester City ose Chelsea do të tentojnë blerjen e Iscos në të ardhmen duhet ti bëjnë mirë llogaritë sepse për tia rrëmbyer mesfushorin tashmë duhet të derdhin në arkat e klubit merengues shifrën stratosferike të plot 700 milionë Eurove.
Është kjo klauzola e cmendur që presidenti Florentino Perez ka vendosur në kontratën e re të mesfushorit duke larguar në këtë mënyrë të gjitha sirenat e merkatos që kanë të bëjnë me yllin e përfaqësues La Roja. Rinovimi i Iscos nuk ishte i vetmi në shtëpinë e Realit sepse me Los Blancos ka zgjatur marrëveshjen aktuale edhe mbrojtësi i krahut të majtë Marcelo. Braziliani i cili konsiderohet si një lojtar i pazëvendësueshëm nga trajneri Zidane për shpejtësinë, teknikën dhe klasin e lartë që zotëron ka rinovuar gjithashtu deri në vitin 2022 me Realin e Madridit.





