Kolegji Zgjedhor rinumëron sot 18 kuti votimi në Bashkinë e Kuçovës. Në seancë janë të pranishëm kryebashkiaku Kreshnik Hajdari dhe kandidati i “Bashkë Fitojmë” më 14 Maj, Lefter Maliqi.
Ky i fundit ka pasur një debat me sekretarin e KQZ-së, Ylli Merkaj. Maliqi pretendon se KQZ nuk ka vënë në dispozicion dokumentacionin e nevojshëm që ka kërkuar.
“Mua më thua kështu ti? Hajdut. Ti je hajdut. Kush e thirri atë? Hajdut. Kur të dojë gjykata le ta thërrasë gjykata. Kujt i mëson? Mua më mëson ti që kam qenë oficer policie 25 vjeç, anëtar i Komisionit të Sigurisë 7 vjet?Për çfarë jam këtu? Për të mbrojtur demokracinë, nuk jam për të vjedhur”, dëgjohet të thotë Maliqi.
Kolegji Zgjedhor vendosi 1 javë më parë rinumërimin e 18 kutive të votimit në Bashkinë e Kuçovës. Vendimi u mor pas ankimimit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe kandidatit Lefter Maliqi.
Lefter Maliqi i ishte drejtuar me herët Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve, ku kërkonte hedhjen poshtë të vendimit të KZAZ së Kuçovës, e cila shpalli fitues kandidatin socialist Kreshnik Hajdari në zgjedhjet e 14 Majit, duke e akuzuar kundërshtarin për blerje votash.
Maliqi ngriti pretendime për votime në grup si dhe parregullsi nga anëtarët e qendrave të votimit. Zgjedhjet nxorën fitues Kreshnik Hajdarin e PS-së me 682 vota diferencë me Lefter Maliqin.