Partia Demokratike, dega Durrës, vijon takimet në kuadër të riorganizimit të partisë, për zgjedhjet e ardhshme. Kryetari i kësaj dege, Ferdinand Xhaferri zhvilloi një takim me strukturat e partisë në Kadundin e Ri, i cili vijon të mbetet bastion i PD-së.
Në këtë takim, Xhaferri foli hapur dhe drejtpërdrejtë me anëtarët e partisë, duke iu kërkuar atyre të zgjohen, të dalin nga tulatja dhe të mos kenë frikë por të përballen me pushtetin kriminal.
Ai tha se PD-ja duhet të riorganizohet dhe të bëhet gati për të fituar zgjedhjet lokale, ndërsa bëri autokritike për mënyrën se si Partia Demokratike ka funksionuar përgjatë viteve të fundit.
Sipas Xhaferrit, Partia Demokratike ka 1001 arsye pse duhet të fitojë zgjedhjet e ardhshme. Duke e vënë theksin tek mënyra e fitimit të zgjedhjeve të Ramës dhe Dakos në Durrës nëpërmjet kriminelave, presionit dhe blerjes së votës, Xhaferri kërkoi "Vetting" të zgjedhjeve.
Deputeti Oerd Bylykbashi, i pranishëm në këtë takim, tha se dorëzimi i mandatit të Saimir Tahirit që supozohet se i hap rrugën integrimit në Bashkimin Europian është vetëm një përpjekje e mjerë e Ramës, pasi ish-ministri është rreshteri kryesor i kriminalizimit të vendit.
Partia Demokratike, dega Durrës, do të vijojë me takime të tjera në kuadër të riorganizimit për t'u përgatitur për zgjedhjet lokale, që do të mbahen vitin e ardhshëm.





