Udhëzimi i fundit i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave për ripeshimin e kamionëve që transportonin mallra për eksport, bllokojnë 12 kamionë, të cilët janë nisur vetëm pas 24 orësh. Biznesmenët ankohen se procedurat e reja nuk shërbejnë për asgjë, përveçse rrisin kohën e përpunimit dhe shtojnë mundësinë e abuzimeve.

 

Biznesmenët shqiptarë, ata që po mbajnë në këmbë zhvillimin ekonomik të vendit duke konkurruar denjësisht edhe me vendet e rajonit, përballen me një situatë problematike në Portin e Durrësit ku mungesa e koordinimit të strukturave shtetërore që nisin nga Autoriteti Portual, dhe Dogana, të cilat duhet të bashkëpunojnë ngushtë me agjencitë doganore, agjencitë e lundrimeve, dhe biznesin, në shërbim të këtij të fundit bëhen shkak për humbje financiare por edhe besimi. Në një kohë kur konkurrenca është rritur midis bizneseve, kriza ekonomike ka “shtrënguar” edhe më tej financat në vendet e Europës, biznesmenët shqiptarë, që operojnë në fushën e eksporteve dhe të transportit, po përballen edhe me mungesën e shërbimeve në Portin e Durrësit, të cilat vijnë zinxhir.

Procedura shtesë

Udhëzimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, i cili ka nisur të aplikohet këtë vit edhe në portin e Durrësit, për ripeshimin e mjeteve të transportit që kryejnë eksport të mallrave drejt vendeve të Europës, ka shkaktuar një sërë problemesh zinxhir, duke sjellë edhe bllokimin e një numri të madh kamionësh në portin e Durrësit si pasojë e vonesave dhe zvarritjeve burokratike. 12 kamionë të ngarkuar me mallra të ndryshëm janë bllokuar para peshores, ndërsa për orë me radhë kanë pritur procedurat burokratike, ndërsa në orën 10.30 të mbrëmjes dyert e terminalit të trageteve janë mbyllur, duke u bllokuar edhe nisja e tyre.

Humbje kohe dhe abuzime

Me qindra kamionë e trajlera të madhësive të ndryshme, para se të kryejnë procedurat doganore, do të kalojnë për ripeshim të mallit, tek peshorja e portit të Durrësit. Pikërisht nga këtu nisin edhe zvarritjet burokratike ndërkohë që pesha është deklaruar nga subjekti për në vendin pritës. Vonesat në këtë pikë kanë bërë në javën që po mbyllet brenda një nate të vetme kamionët që dërgonin mallra të porositura drejt shteti italian të bllokohen, pasi portat e terminalit u mbyllën e për pasojë nisja e tyre u bë vetëm pas 24 orësh. Udhëzimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave që po aplikohet në Durrës është kundërshtuar fort nga bizneset, si dhe porositësit e mallit që hasin procedura të paarsyeshme, në doganë. “Procedura e ripeshimit të mjeteve tregtare që kanë kryer procedurën doganore për eksport në momentin e daljes në pikat kufitare, megjithëse janë të pajisur me flete-peshe nga dogana, është tejet e pavlerë, dhe vetëm shkakton vonesa dhe pakënaqësi” është reagimi i biznesmenëve. Sipas tyre, kjo procedurë shtesë bëhet shkak edhe që bizneset të bien pre e abuzimeve nga autoritetet shtetërore, të cilat e kanë gati fletë-gjobën edhe kur diferenca në peshë mund të jetë thjesht nga karburanti i harxhuar. Vonesat e krijuara për subjektet transportuese dhe problemet me infrastrukturën kanë shkaktuar probleme edhe për agjencitë doganore, një prej hallkave të kryerjes së procedurave në doganë për bizneset. “Me procedura të tilla burokratike, biznesi ka humbje të pazëvendësueshme”, thonë agjentët doganorë