Bëhuni gati për një Seri A ndryshe. Të paktën këtë ka paralajmëruar presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Karlo Tavekio, i cili njëherësh është ngarkuar edhe me detyrën e komisarit të jashtëzakonshëm të Ligës.Së pari, nga sezoni i ardhshëm pritet të ndryshojnë oraret e ndeshjeve, duke marrë për bazë modelin e La Ligës spanjolle. Pra tri ndeshje të shtunën në tre orare të ndryshme, një të dielën në 12:30, tri në 15:00, një në 18:00, një në 20:45 dhe një ndeshje të hënën në 20:45).

Gjithçka për të përfituar sa më shumë nga shpërndarja e të drejtave televizive.Një ndryshim tjetër lidhet me përdorimin e teknologjisë VAR, e njohur ndryshe si moviola në fushë, që do t’u mundësojë arbitrave të ndryshojnë vendimet në çast me ndihmën e kamerave të posaçme.Nëse risitë e mësipërme ishin për të ardhmen e afërt, po mendohen ndryshime edhe në planin afatgjatë. Fjala është për futjen e playoff-it dhe playout-it për skuadrat që ngjiten dhe ato që zbresin në Serinë A. Gjithashtu është hedhur edhe ideja e uljes së numrit të skuadrave nga 20 në 18.