Panetone e prodhuar në Durrës. Nuk po bëjmë shaka, por ëmbëlsira më e dashur e Krishtlindjes prodhohet edhe në qytetin bregdetar dhe as më pak e as më shumë por nga një prej pastiçerive me emër të qytetit, “Cialda”.

Pasi na ka mësuar për shumë vite me radhë me gamën e gjerë të ëmbëlsirave që askush s’ka mbetur pa i provuar, risia e këtij viti është panetonia.

Megjithëse një proces i gjatë që zgjat 3 ditë, që nga zënia e brumit, ardhja e tij, pjekja në furrë e deri tek paketimi mjaft i personalizuar dhe me shumë stil, pasticerja Eriana Sopi thotë se kishte ardhur tashmë koha që “Cialda” ta sillte për klientët e saj besnikë këtë ëmbëlsirë të dashur.

E ndërsa fundviti është gjithnjë një periudhë kur konsumojmë ushqim më shumë se zakonisht, Eriana rrëfen për “DurrësLajm”, se panetonia e prodhuar nga “Cialda” është mjaft e lehtë, jo shumë e sheqerosur dhe mund të konsumohet në çdo orë të ditës.

Përsa i përket shijes, ajo vjen në tre gusto të ndryshme, ndërsa butësia dhe shkriftësia e saj e kthejnë në një ëmbëlsirë të parezistueshme.

Shijet janë 3, ajo klasike me copa çokollate apo me rrush të thatë, por dhe panetone të mbushura, siç është ajo me pistak, që është më e preferuara dhe panetonia e mbushur me çokollatë”,- thotë Sopi.

Mes gamës së madhe të bakllavave dhe kadaifëve, karakteristike të festave të fundvitit, por edhe ëmbëlsirave italiane për të cilat “Cialda” është e njohur jo vetëm në Durrës por edhe më gjerë, pasticierët e saj punojnë me përkushtim për të nxjerrë nga duart vepra të vërteta të artit të kulinarisë.

Meqë jemi në ditët e fundit të vitit, kushdo që nuk ka një ide për dhuratë për njerëzit e dashur mjafton të shkojë deri tek “Cialda”. Një panetone mjaft e shijshme, e paketuar këndshëm dhe me stil, është një dhuratë perfekte dhe e bërë me zemër.

M.B.