Nga 29 janar – 13 maj 2012, ndahen 5 trofe të rëndësishëm
Të shtunën e 12 majit 2012, në “Ramazan Njala” përfundoi ndeshja e 5-të e plejofit në basketbollit për femra Apolonia – Flamurtari. Me fitoren e arritur 64-49, Apolonia fiton pas 37 vitesh, titullin e kampiones së vendit. Durrësi bëhet epiqendër i këtij evenimenti të rëndësishëm, duke qenë të pranishëm personalitete të sportit të koshit. Së pari me 29 janar 2012, janë po vajzat e Apolonisë në basketboll që fitojnë Kupën e Shqipërisë duke mundur ekipin rival të Flamurtarit. 67-61. Vetëm në harkun kohor 29 janar – 13 maj 2012, sportdashësit durrsakë kanë ndjekur nga afër 5 takime Apolonia-Flamurtari, që janë dy ekipet elitare në basketbollin e femrave në Shqipëri dhe 4 ndarje trofesh nga më kryesoret në lojërat shqiptare. Me 22 prill 2012 Durrësi bëhet epiqendër e Kupës së Shqipërisë në volejboll për meshkuj. Studenti mundi Teutën 3-1 dhe fiton trofeun. Me 3 maj 2012 në volejboll për femra Tirana mundi 3-2 UMV Volej-in dhe është fituese e Kupës së Shqipërisë.
Me 8 maj 2012 ndahet në Durrës trofeu i titullit kampion në basketboll për meshkuj, ku Tirana mundi Basket Kamzën 73-62 dhe mbetet sërish më e mira. Me 13 maj 2012, për herë të parë pikërisht në Durrës zhvillohen një veprimtari shumë origjinale: Kupa e Shqipërisë në Taekëando I.T.F, organizuar nga federata shqiptare e këtij sporti. Dhe ka qenë një masivizim i pabesueshëm, duke rrokur moshat nga 5-6 vjeç e deri tek 35-55 vjeç. Janë aplikuar ushtrime të ndryshme, dyluftime, teknikë dhe forcë dhe teknikë speciale. Jo pa qëllim e vendosim këtë dukuri në faqet e gazetës, për të mos na lënë të na ikë nga duart pa u shënuar kështu, pa dyshim rasti më unikal në tërë historinë e krijimit të sporteve në Durrës. Çfarë pra? Që Durrësi të kthehet në qendrën kryesore jo vetëm të ndarjeve të trofeve, por edhe të festimeve nga më emocionueset që kanë ndodhur nga tifozëritë respektove me mbarimin e ndeshjeve. Dhe të gjitha trofetë krahas gëzimit të ekipeve dhe stavefeve të tyre, vinte dhe një urim i vetëm, i përbashkët, i sinqertë:Faleminderit Durrësi! Jua paçim borxh këtë kujdes të jashtëzakonshëm që keni treguar. Dhe falënderimet shkojnë për klubin shumësportesh Teuta, sekretarin e saj të palodhur Emiljan Jani, për personelin gjithnjë të gatshëm të pallatit të sportit “Ramazan Njala”.
Në këtë kohë tranzicioni, që shoqërohet jo me pak halle dhe probleme, është nga dukuritë më mbreslënëse kjo që u vërejt në këtë hark kohor pra: 29 janar – 13 maj 2012 në Durrës. Gatishmëria e një kolektivi të tërë, që krahas punëve të tyre të ngarkuara, angazhohen edhe në punkte të tjerëve, të federatave sportive kombëtare, duke krijuar nga lidhjet më tërheqëse dhe inkurajuese të ndodhura më parë. Respekt, përgëzime, urime! Ska ku të shkojë më mirë. Nuk po shtojmë edhe këtë tjetrën: të bujos mediatike që krijojnë të gjitha informacionet e dhëna që nga pallati i sportit Ramazan Njala po transmetojmë, apo po japim, apo…. Para edhe nga një këndvështrim tjetër, ardhja në Durrës e elitës më të mirë shqiptare të lojërave, shërben edhe si nxitje për ekipet dhe sportistët durrsakë. Natyrisht së pari për ti frymëzuar dhe vënë ata më shumë në pozitive pune dhe së dyti të luftojnë dhe përpiqen si ata të jenë më të mirët e vendit si dikur në kohën e lavdisë së lojërave në Durrës. Këtë e shikonim në sytë e sportdashësve aq shumë të kulturuar dhe të pasionuar pas sporteve të lojërave.
Dhe së treti krijohen mundësi të mëdha, për të ofruar në mjediset sportive rininë, që aq shumë është e nevojshme të jenë të pranishëm në evenimente të tilla cilësore dhe kombëtare. Sepse Durrësi ynë duke qenë shumë pranë metropolit të vendit – Tiranës, mund të bëjë akoma më shumë për të thithur edhe më tej elitën e sporteve shqiptare dhe jo vetëm të lojërave. Sepse të mos harrojmë traditat janë në peshëngritje, pingpong, mundjen e lirë, boks dhe shah. Shembulli më i qartë u dha. Shkëndija dhe nxitje ka. Në volejboll për meshkuj dhe femra Teuta është nënkampione e vendit. Në basketboll për meshkuj në vendin e katërt në Grupin A. Në shah është kampione dhe në peshëngritje nënkampione, duke mbetur kampionë absolutë në të gjitha kategoritë e përfaqësimit në mundjen e lirë. Hapa përpara po bëhen edhe në boks. Gjërat janë të lidhura njëra me tjetrën. Trofetë e organizuara dhe të ndara në Durrës, janë një ogur i mirë i lidhjeve ndërmjet qendrës së federatave sportive të Tiranës dhe klubit shumësportesh Teuta, që sigurisht janë në kushte të favorshme për t’u shtrirë edhe më tej. Aq më mirë kjo për Durrësit, sportdashësit dhe qytetarët durrsakë. Gazeta “Dyrrah” e mbështet këtë dukuri pozitive dhe do të bëj çmos ta mbështesë dhe përhapë atë.
Kampionati i 73-të kombëtar i Futbollit mbyll siparin
Teuta e dyta por e para në ndershmërinë sportive
Përfundon me 12 maj 2012 kampionati i 73-të kombëtar i futbollit. Zgjidhen të gjitha enigmat. U jepen përgjigje të gjitha hamendësimeve, prognozave apo edhe dyshimeve të natyrave të ndryshme. Teuta fiton me Kastriotin në transfertë 2-1, por në raport me titullin kjo nuk mjafton. Fitorja e lehtë e Skënderbeut në Pogradec 3-1, ç’vlerësoi atë shpresë dhe besim që kishin durrsakët për titullin. Fitorja në Krujë, sikur u la në hije, pasi vëmendja ishte përqendruar në Pogradec tek kryesuesja e kampionatit. Pas kësaj trajneri Lika do të bënte këtë deklaratë: “Falenderoj të gjitha ata që ndikuan, në një nga paraqitjet më të mëdha të futbollit durrsak. Mirënjohje tifozërisë tonë të zjarrtë që nuk na lanë vetëm asnjë çast. Përgëzimet shkojnë për grupin e futbollistëve, që bënë më të mirën e tyre, stafin teknik dhe presidencën që mbështeti fuqishëm këtë arritje. Teuta luajti drejt, duke mos u mbështetur në aleanca dhe ndihma të natyrave të ndryshme, siç ndodhi me rivalët tanë. Luajtëm duke respektuar feirplejin dhe jo pa qëllim këtu jemi të parët. Bëmë një garë të ndershme, e cila është e denjë të mos harrohet.” Një deklaratë e qartë dhe e kuptueshme. A duhen dëshpëruar durrsakët se Teuta u rendit e dyta? Mendojmë se jo, pavarësisht se fati apo shansi kaloi tri herë në duart e tyre. Veçanërisht barazimi me Kamzën, mbetet nga hapat false më paradokse të Teutës.
Analiza sigurisht që do të bëhen, ashtu sikundër gazeta Dyrrah i ka patur ato të vazhdueshme në faqet e saj. Por në tërësi kjo vlerësohet si një nga paraqitjet më të mira të historisë së futbollit durrsak, madje kjo krahasuar edhe me sezonin 1993-94 ku Teuta për herë të parë veshi kostumin e kampiones së vendit. Shifrat e titullit janë këto: 26 ndeshje të luajtura, prej të cilave janë fituar 14, barazuar 9 dhe humbur 3. Janë shënuar 37 gola dhe pësuar 9 dhe kuota e pikëve është 37(Në pikëzimin e sotëm i bie të jenë marrë 51 pikë). Kujtojmë që fitoret mateshin me 2 pikë. Vendndodhja e tanishme e Teutës, pas mbarimit të kampionatit të 73-të është kjo: 26 ndeshje, brenda të cilave janë arritur 17 fitore, 5 barazime dhe 4 humbje. Janë shënuar 33 gola dhe pësuar 18. Vendi i dytë me 56 pikë. Janë shënuar në këtë sezon krahasuar me atëherë, 3 fitore më shumë, 4 barazime më pak dhe 1 humbje më tepër. Sa i takon golavarazhit të 94-trës është për t’u patur zili. Por ajo që vlen është numri i fitoreve dhe i pikëve. Për mbi të gjitha shkëlqejnë dy tregues: që e vendosin Teutën pa diskutim në pozicionin e kampiones. E para: Teuta në transfertë (në ndeshjet jashtë fushës së saj) grumbulloi 29 pikë, 4 pikë më shumë nga kampionia. Dhe e dyta: në feirplej Teuta e vendit të parë mblodhi 193.607 pikë, ku pas saj vijnë Vllaznia me 189.071 pikë, Skënderbeu 182.143 pikë, Flamurtari 177.393 pikë dhe Tirana 176.143 pikë. Asnjë karton i kuq dhe vetëm 50 katrona të verdhë. Kemi një Teutë nënkampione, me disa tregues që i shkojnë petkut të ekipit elitar, ku u ndërtua një grup me personalitet.
Por ajo që vlen është drejtimi i Teutës me profesionalizëm të spikatur, nga specialistët e mirënjohur të futbollit Hasan Lika dhe Sulejman Starova, të cilët kurdinuan bashkëpunimin me homologët e tyre vendas si Eduart Salillari, Oert Kotja dhe Kujtim Shtama. Mbështetja e fuqishme e Bashkisë së Durrësit dhe e presidentit Edmond Hasanbelliu, janë tjetër kapitull aktiv i ndërtimit dhe funksionimit të kësaj Teuta, e cila gjithsesi duhet të gëzohet me pozicionin e nënkampiones së vendit. Teuta e vendit të dytë është pjesmarrëse ne kupat e Europës dhe duhet që tani të mos ndalen përgatitjet. Dalja në Europë kërkon angazhim të jashtëzakonshëm, që këtë ecuri të mbarë të manifestuar në kampionat, të ruhet edhe në këtë nivel përfaqësimi. Gjithsesi deri këtu: faleminderit Teuta!
Teuta në kupën Agim Tafili
Me 18-19 maj, FSHÇ-ja organizon kupën Agim Tafili, në nderim të kësaj figurë të rëndëishsme të çiklizmit shkodran dhe atij shqiptar, që u nda nga jeta para disa muajsh. Në këtë ngjarje çiklistike është angazhuar me pjesëmarrjen e tij edhe ekipi i Teutës. Trajneri i Teutës dhe i ekipit tonë kombëtar, mjeshtri i merituar i sportit Dashamir Rama na njeh me çiklsitët pjesmarrës dhe objektivat e ekipit në këtë event. Çiklistët e Teutës janë shumë të rinj dhe pjesëmarrja në këtë kupë, do tu shërbejë atyre për përvojë dhe rritje të konkurencës. Këtë çiklistë janë: Erikson Picaku, Hyrmet Kastrati, Meriton Abdullai, Endrikson Zeneli dhe Erion Toska. Do të përshkohen dy etapa: Tiranë – Shkodër 110 km dhe Shkodër-Pukë-Shkodër 125 km. Janë planifikuar të marrin pjesë edhe ekipit Apolonisë, Flamurtarit, Elbasanit, Tiranës, Vllaznisë dhe Partizanit. Por në rrethin çiklistik të Shqipërisë që fillon me 6 qershor dhe ku durrsakët janë të gatshëm ta fitojnë atë, do të rroket kryesisht pjesëmarrja e çiklistëve cilësorë si vëllezërit Redi dhe Karnelo Halili, Marjus Huqi dhe Eugen Zhupa. Që të katër pedalojnë në klubet italiane të Bergamos, Modenës dhe Alesandria.
Volejbollistë durrsakë në përfaqësuese
Një lajm inkurajues vjen nga volejbolli. Në grumbullimin e ekipit përfaqësues të volejbollit për meshkuj, nën drejtimin e trajnerit të Studentit Ylli Tomorri bëjnë pjesë edhe pesë volejbollistë nga Teuta: Jurgen Dashi, Blerim Memia, Renato Kola, Entigleno Nazifi dhe Alban Kolea. Këta morën pjesë në takimet miqësore të zhvilluara në Malin e Zi. Grumbullimi është bërë në kuadrin e eliminatorëve të kampionatit evropian, ku shorti e vendos Shqipërinë përballë Britanisë së Madhe. Ndeshja e parë është bërë të shtunën e kaluar në pallatin e sportit Asllan Rusi. Ajo që veçohet është pjesmrrja në 6-shen kryesore të volejbollistit durrsak 22 vjeçarit Jurgen Dashi. Takimi i parë u fituan nga britanikët 3-0. Ndeshja e dytë zhvillohet në Londër me 19 maj.