Shqipëria u përfshi pak kohë më parë nga debati i legalizimit të mjeteve virtuale duke argumentuar se vetëm përmes rregullimit të kuadrit, mund të kontrollohej risku i pastrimit të parave.

Së fundmi, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare bëri disa ndërhyrje në rregulloren që lidhet me këtë risk, duke shtuar, mes të tjerash, edhe një ankesë të plotë mbi këtë çështje të titulluar “udhëzime specifike për mjetet virtuale dhe ofruesit e shërbimeve të mjeteve virtuale. AMF sqaroi në këtë ankesë se ky aneks, i drejtohet çdo Personi Juridik, i cili merret me ofrimin e shërbimeve të mjeteve virtuale, sipas Ligjit nr. 66/2020 “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”.

“Mjetet virtuale dhe shërbimet e lidhura me to, kanë potencial për të nxitur zhvillimin dhe efikasitetin financiar, por cilësitë e tyre të veçanta mund të krijojnë hapësira për pastrim paraje, financim terrorizmi apo akte te tjera kriminale. Mjetet virtuale janë të aksesueshme vetëm në formë elektronike. Ruajtja dhe transferimi i tyre mund të kryhen nëpërmjet softëare-ve, aplikacioneve telefonike apo kompjuterike.

Mundësia për të transferuar mjetet virtuale jashtë kufijve shumë shpejt, jo vetëm që i lejon kriminelët të zotërojnë, të lëvizin, apo të ruajnë asete jashtë sistemit financiar të rregulluar, por edhe e bëjnë më të vështirë për institucionet përgjegjëse identifikimin e origjinës së burimit të fondeve dhe aktivitetit kriminal në kohën e duhur.

Në këtë kuadër, subjektet duhet të jenë të vëmendshme ndaj tipologjive dhe metodologjive se si pastruesit e parave apo financuesit e terrorizmit mund të keqpërdorin mjetet virtuale dhe ofruesit e shërbimeve të mjeteve virtuale për ofruesit e shërbimeve financiare dhe subjekte të tjera të ligjit 9917/2008, i ndryshuar”, thuhet në rregulloren e AMF.

Kjo e fundit specifikon se sektori i mjeteve virtuale apo ofruesve të shërbimeve të mjeteve virtuale ka karakteristika specifike, që mund të lehtësojnë pastrimin e parave ose financimin e terrorizmit ku së pari anonimati. Është një nga arsyet pse monedhat virtuale mund të keqpërdoren për pastrim parash apo financim terrorizimi. Krijon vështirësi në monitorimin e tyre dhe identifikimin e palëve të përfshira në të.

Së dyti, burimi i të ardhurave. Për shkak të mënyrës së veprimit me mjete virtuale krijohet vështirësi në identifikimin e burimit të të ardhurave dhe origjinës së fondeve të investuara në këto tregje.

Së treti, risku gjeografik. Mundësitë e operimit kudo në botë ndihmojnë pastruesit e parave dhe financuesit e terrorizmit, pasi ato mund të jenë vendosura në vende të cilat nuk kanë kontrolle efektive në kuadër të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmi.

Së katërti, operimi i Mjeteve Virtuale vetëm në internet ka rritur mundësin e përdorimit të krimeve kibernetike për pastrimin e parave. P.sh. Një nga mënyrat është vjedhja fondeve nga lojërat elektronike online dhe më pas konvertimi i tyre në monedha virtuale.

Së pesti, transaksionet e Mjeteve Virtuale: Ekzistojnë një sërë faktorësh që lidhen me profilin dhe sjelljet jo të zakonta të dërguesit ose marrësit të Mjeteve Virtuale për arritjen e qëllimit të paligjshëm. 

/Monitor