Në ditët e fundit të muajit gusht dhe në këtë fillim shtatori, drejtuesit e PD Durrës kanë zhvilluar takime me strukturat partiake, në kuadër të rinisjes së aksionit opozitar gjatë stinës së vjeshtës.
Në të gjitha takimet ka qenë u pranishëm i deleguari nga qendra, ish-deputeti Gent Strazimiri, i cili po ndjek nga afër procesin e ristrukturimit të PD-së lokale.
Nënkryetari i PD-së, Arlind Boshku, thotë për DurrësLajm se megjithëse gushti konsiderohet periudhë pushimesh, ky muaj nuk ka qenë aspak i tillë për PD-në e Durrësit. Madje, puna për plotësimin e strukturës së çdo grup seksioni vazhdon intensivisht dhe deri në datë 15 shtator do të jenë plotësuar të gjitha vendet vakante dhe njëkohësisht do të afrohen pranë PD-së elementë të rinj, figura historike dhe njerëz me kontribute për të fuqizuar edhe më tepër partinë më të madhe opozitare. Në çdo grupseksion janë zhvilluar analiza të detajuara për gjërat që nuk kanë shkuar mirë deri më tani duke lënë detyrat përkatëse për përmirësimin e punës së strukturave dhe një organizim të ri në kuadër edhe të zhvillimeve të pritshme politike gjatë muajve të ardhshëm.
Boshku nënvizon se janë zgjedhur 4 sekretariatet funksionale të degës si dhe janë ngritur 17 departamente, ku aktualisht në 15 prej tyre janë zgjedhur personat që do të jenë në krye të tyre, ndërsa javën e ardhshme pritet të kompletohen 2 departamentet e fundit. Puna që po bëhet në terren, e shoqëruar edhe me përzgjedhjen e emrave që do të drejtojnë departamentet, ka për synim strukturimin dhe forcimin e degës lokale. Tashmë kur PD është jashtë të gjitha institucioneve dhe nuk ka më përfaqësues të saj as në pushtetin legjislativ, as në atë vendor, funksionimi i mirë i të gjitha strukturave zinxhir përgatit degën lokale për sfidat me të cilat pritet të përballet në javët e muajt në vazhdim.
Në një kohë, kur kryetari i PD-së Lulzim Basha ka paralajmëruar rinisjen e protestave por pa caktuar ende një datë konkrete, nënkryetari i PD-së së Durrësit, Arlind Boshku, nënvizon se gjatë takimeve të ditëve të fundit, krahas detyrave konkrete që u janë lënë strukturave, një falenderim i veçantë ka shkuar për të gjithë anëtarësinë, mbështetësit dhe simpatizantët që kanë mbështetur PD-në dhe kauzën e saj që nga protesta e parë e 16 shkurtit e në vazhdim.
M.B.





