3 dhjetor 2013 – Këngëtarja Rita Ora mësohet se është dëbuar nga banesa e saj për shkak të ankesave të fqinjëve për sa i përket zhurmave që ajo ka shkaktuar. Tashmë ajo është në kërkim të një shtëpie të re pasi pronarët e banesës luksoze ku banonte me qira nuk e kanë dashur më në shtëpinë e tyre.

"Rita po shpërngulet për shkak të ankesave për zhurmë në vendbanimin e saj të fundit. Ajo tashmë është duke kërkuar një shtëpi të re të cilën dëshiron ta blejë. Ajo mendon se një shtëpi e re do të ishte mënyra e përsosur për ta festuar një vit kaq të suksesshëm", janë shprehur miq të afërt të saj për “The Sun”.

Ndërkohë karriera e saj vijon të jetë mjaft e suksesshme, vetëm një muaj më parë ajo u shpall këngëtarja e vitit në ceremoninë e organizuar nga revista e njohur Harper’s Bazaar, “Harper's Bazaar Women of the Year Awards”.

/albeu/