Këngëtarja shqiptare Rita Ora, ka folur për marrëdhënien e saj me Taika Waititin, duke treguar se lidhja e tyre funksionon për shkak se shpesh ndihen më shumë si miq të ngushtë sesa si burrë e grua.
Duke folur në një intervistë të fundit për revistën “Hunger”, artistja e klasifikuar në krye të top-listave muzikore u shpreh: “Unë dhe Taika jemi në thelb miq më të mirë dhe donim të jetonim në atë element përgjithmonë, besoj”.
Çifti kurorëzoi dashurinë e tyre në gusht të vitit 2022, në një ceremoni shumë intime në ambient të hapur në Los Angeles. E vendosur për të mos e kufizuar veten në një fushë të vetme, Rita synon të ndjekë gjurmët e idhullit të saj, Jennifer Lopez, duke bërë gjithçka, nga muzika dhe filmi te televizioni dhe moda.
Në intervistën për Hunger, ajo tha: “Më pëlqen të bëj shumë gjëra. Më bën të ndihem gjallë. Më mbush me entuziazëm. Më sfidon. Ne jemi individë dhe kemi të drejtën të zgjedhim si dhe kur duam të jemi vetvetja…
Është diçka natyrale, e dini, jemi rritur duke i emërtuar dhe etiketuar gjërat, si ‘kjo është një mollë’, ‘kjo është një dardhë’ apo çfarëdo tjetër. Kjo ka qenë gjithmonë ëndrra ime, të ekzistoj thjesht brenda artit dhe argëtimit”.