Këngëtarja me origjinë shqiptare Rita Ora ka treguar se ishte ajo që mori iniciativën për propozimin martesor ndaj bashkëshortit të saj, regjisorit të njohur Taika Waititi, gjatë një udhëtimi romantik në Palm Springs.
E ftuar në podcastin “Begin Again” të prezantueses Davina McCall, Rita Ora, 34 vjeç, zbuloi detaje nga momenti i veçantë që ndodhi përpara se të kurorëzonin dashurinë e tyre në gusht të vitit 2022.
“E bëra gjithë gjënë vetë,” – rrëfeu këngëtarja. “Ishim në një dhomë hoteli në Palm Springs, një nga ato të bukurat, luksoze, e mbushur me tullumbace dhe tortë – që është gjëja ime e preferuar në botë.”
Ajo kishte përgatitur vetë unazat, duke zgjedhur diçka të thjeshtë dhe jo shumë të ndritshme. “Ai më pyeti: ‘Çfarë po ndodh? Është Shën Valentini?’ Dhe unë iu përgjigja: ‘Jo, por nëse do thuash jo, do më duhet të heq rrobat.’”
Propozimi u prit me entuziazëm nga regjisori 49-vjeçar, i cili sipas Ritës, e adhuronte gjithë momentin.
Çifti u martua më 4 gusht 2022 në një ceremoni të vogël dhe private në Los Angeles, e organizuar brenda vetëm dy javësh, në mënyrë që edhe vajzat e Taika-s të mund të merrnin pjesë.
Rita dhe Taika ishin miq për vite me radhë, përpara se të lidhnin një romancë në vitin 2021. Historia e tyre dashurore ka qenë prej atëherë në qendër të vëmendjes, jo vetëm për origjinalitetin, por edhe për lidhjen e fortë që ndajnë.