Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Rita Ora, dhuroi mbrëmjen e kaluar emocione të paharrueshme për mijëra shqiptarë, të cilët kishin mbushur si asnjëherë tjetër sheshin “Skëndërbej” për të shijuar hitet e saj. Koncerti nisi me ritmet e muzikës së këngëtares së njohur nga Kosova, Kida dhe kulmoi kur në shesh mbërriti Rita Ora.
“Your song” ishte kënga e parë e Rita Orës, që elektrizoi jo vetëm skenën, por gjithë të pranishmit në sheshin “Skënderbej”, ndërsa spektakli vijoi me të tjera këngë hit të saj. Në repertorin e saj nuk mungoi as një surprizë për shqiptarët: miksimi i një prej hiteve më të mira të Rita Orës me një nga vallet më të njohura të trevave shqiptare, asaj të Rrugovës.
Ndërkohë, para se të ngjitej në skenën e sheshit “Skëndërbej” këngëtarja Rita Ora, e shoqëruar nga i ati dhe e motra, u prit në një takim nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ai e falenderoi atë për imazhin që përcjell në botë si përfaqësuese e shqiptarëve dhe frymëzuese e brezit të ri, dhe në shenjë mirënjohje i dhuroi asaj Çelësin e Qytetit.
“Duke i dhënë dikujt çelësin, i jep të vetmen gjë që ti ke. Ne nuk jemi të pasur, por përpiqemi të japim gjithçka që kemi si shenjë respekti dhe shenjë e derës së hapur, prandaj, duke të dhuruar Çelësin e Tiranës do të thotë se të vlerësojmë shumë”, u shpreh Veliaj.
Rita Ora e falenderoi kryetarin e bashkisë për mikpritjen dhe vlerësoi ndryshimin që po pëson Tirana. “Mendoj se Tirana është në rrugën e saj drejt një suksesi të pabesueshëm. Me fuqinë dhe mundësitë që unë kam, do t’ia bëj të ditur këtë pjesës tjetër të botës. Mendoj se jemi në rrugën e duhur, ka energjinë më të mirë të çdo qyteti në tokë. Nga hera e fundit që isha këtu, pa dyshim që energjia ka ndryshuar, ndjehesh gjallë, miqësore, e pëlqyer dhe shumë pozitive. Ndjehem shumë mirë që jam pjesë e kësaj”, tha ajo.
Kryebashkiaku Veliaj i bëri edhe një surprizë krejt të veçantë këngëtares Rita Ora, duke i dhuruar një çifteli, të cilën e mbante në zyrën e tij, instrumenti muzikor që identifikon trashëgiminë e kulturës tradicionale shqiptare.
Për 3 ditë sheshi “Skëndërbej” u kthye në qendrën më të madhe artistike shqiptare, ku në dy koncerte madhështore, këngëtarë vendas dhe ata me origjinë shqiptare më famë botërore, dhuruan për shqiptarët çaste të paharrueshme.