Rita Ora nuk ka mundur të mbajë dot lotët teksa ka kujtuar Liam Paynen në MTV Europe Music Awards të këtij viti në Mançester, pothuajse një muaj pas vdekjes së yllit të “One Direction”. Artistja tha se ai ishte pjesë e botës së saj dhe të gjithë artdashësve.
“Dua të marr pak minuta për të kujtuar dikë që ishte shumë i dashur për të gjithë. Ne e humbëm atë kohët e fundit dhe ai ishte një pjesë e madhe e botës së MTV-së dhe botës time, dhe mendoj se shumë prej jush në shtëpi dhe të gjithë këtu sonte”, tha Rita Ora mes lotësh.
Këngëtarja ka qenë një prej mikeshave e bashkëpunëtoreve të tij, e cila edhe më herët bëri një dedikim mjaft të ndjerë për yllin e “One Direction” në rrjetet sociale duke thënë se lajmi tragjik i vdekjes së tij ja thyen zemrën.
“Jam e shkatërruar. Ai kishte shpirtin më të butë, nuk do ta harroj kurrë. Më pëlqente shumë të punoja me të, ishte thjesht shumë gëzim që të ishe pranë tij brenda e jashtë skenës. Ky lajm tragjik më thyen zemrën. I dërgoj gjithë dashurinë dhe lutjet e mia familjes dhe të dashurve të tij. Kënga jonë ‘For You’ merr tërësisht një kuptim të ri për mua tani. U prehsh në paqe”, shkruante Rita.