Dega lokale e PD Durrës ka zhvilluar pasditen e sotme mbledhjen e parë të kryesisë, të dalë pas votimit të datës 25 prill.

“DurrësLajm” mëson se mbledhja e parë e kryesisë së PD së Komisionit të Rithemelimit është mbajtur në sallën e mbledhjes së selisë lokale të degës, megjithëse kryetari Igli Cara (i zgjedhur më 23 prill) ende nuk e ka marrë në dorëzim nga Luan Hoti, që është kryetari i komanduar nga PD-ja zyrtare.

Nga burime brenda mbledhjes mësojmë se gjatë mbledhjes është konstituuar kryesia, është diskutuar mbi takimin e liderit historik Sali Berisha të martën në Durrës si dhe është caktuar demokrati Sead Lluka në detyrën e ekonomistit të degës.

Në mbledhjen e ardhshme të kryesisë do të përzgjidhen nënkryetarët e degës. Nuk dihet ende nëse PD-ja lokale e Komisionit të Rithemelimit do të ruajë sërish strukturën me 5 nënkryetarë dege apo do të ketë ndryshime në numrin e tyre.