DURRËS, 29 dhjetor 2014 – Tashmë nga trokitja e Vitit të Ri na ndajnë pothuajse orë, ndërsa ka nisur numërimi mbrapsht për e presin dhe e një vit të mbarë. Sigurisht të gjithë kanë bestytnitë e tyre lidhur me natën dhe momentin e kapërcimit të viteve, por kur shumë pak kohë na ndan nga mbërritja e vitit 2015, disa këshilla që duhen mbajtur parasysh ia vlejnë të përmenden.
Rite, besime, urime, veprime e një sërë traditash vazhdojnë të ruhen dhe të vihen në jetë sa herë që troket fundviti. Siç informon agjencia e lajmeve "Dyrrah", puthja në momentin që ora shënon 00.00 cilësohet si siguri dhe konfirmim i bekimit të miqësisë dhe të afërsisë me personin që shkëmben puthjen, e sidomos partnerin.
Në traditën e popujve thuajse të të gjithë botës, fëmijët e lindur ditën e parë të vitit më 1 janar konsiderohen si fëmijët më fatlumë në botë, madje edhe mediet transmetojnë pikërisht fëmijën e parë të lindur për vitin e ri, gjininë dhe emrin në rast se i është vendosur. Një tjetër traditë që praktikohet në vendin tonë është edhe, njeriu i parë i cili do t'ju futet në shtëpi pas mesnate, pasi besohet se ai gjatë tërë vitit pasues do të jetë një person fatsjellës ose jo… , madje në disa raste përzgjidhet enkas personi, i cili do të vërë “këmbën” i pari për Vitin e Ri.
Theksohet gjithashtu se portofolat në momentin e ndërrimit të viteve duhet të jenë të mbushur me monedha, sepse kështu viti që vjen do të sjellë bollëk dhe pasuri. Një tjetër bestytni është edhe fakti se nëse duam që viti i ardhshëm të jetë i lumtur dhe me fat, në asnjë mënyrë nuk duhet ta presim me borxhe, por duhet t'i shlyejmë sa më parë qoftë edhe në ditën e fundit.
E në fakt, këto rite praktikohen nga një pjesë të konsiderueshme të njerëzve, një pjesë tjetër i shpërfill, por ato u kanë mbijetuar viteve dhe vazhdojnë edhe sot të praktikohen, çka të bën të mendosh se brenda tyre mund të ketë ndonjë të vërtetë. Nata e ndërrimit të viteve është një çast kur shënohet nisja e vitit të ri, në mënyrë simbolike i jepet nderim vazhdimësisë së kohës, e cila për çdo vit nis të rrjedhë pakthyeshmërisht. Në fakt, Viti i Ri prezanton ripërtëritjen e jetës, ndërsa zakonet e traditës për kremtimin e saj, edhe pse me shekuj kanë pësuar modifikime, ato dhe sot e kësaj dite i kanë ruajtur specifikat e tyre esenciale.
Kremtimi i Vitit të Ri është njëra ndër traditat më të vjetra rituale e shprehur gati tek të gjithë popujt e botës, pa marr parasysh racën, fenë, kombin, dhe përkatësitë e tyre të ndryshme. Disa hulumtues mendojnë se, kremtimin e festës së Vitit të Ri, më së pari e kanë aplikuar kinezët, ndërsa një grup tjetër mendon se kjo traditë fillzënien e vet e ka nga romakët e vjetër dhe gjermanët.
Dokumente të ndryshme pretedojnë se festën e Vitit të Ri më 1 Janar, për herë të parë në mënyrë festive dhe rituale, e kanë kremtuar romakët e lashtë, dhe për ta kjo festë ishte simbol i fillimit të jetës së re plot shpresa të mira për të ardhmen.
Në Japoni kjo festë kremtohet me tryeza të begata plot me specialitete të rralla tradicionale, e në mesnatën e ndërrimit të moteve jehojnë 108 të rëna kambanash nga të gjithë tempujt budistë anëekënd vendit. Simbolika e numrit 108 nënkupton si vërejtje dhe porosi për largimin e 108 mëkateve të mundshme të njeriut në jetë.
Italianët konsumojnë thjerrëza natën e ndërrimit të viteve që simbolizojnë bollë, ndërsa grekët përgatisin "vasilopita", ëmbëlsirë me një monedhë brenda, e cila do t'i sjellë fat atij që do t'i përkasë.
Edhe populli hebre,Vitin e Ri e kremton në mënyrë madhështore, sepse edhe me mësime religjioze konsiderohet si festë shpirtërore, me të cilën shënohet përvjetori i fillimit të krijimit të Botës. Edhe diçka tjetër është karakteristike tek kremtimi hebre i Vitit të Ri: ata në çastin e ndërrimit të viteve, kanë vërtet një tryezë të pasur, por në dallim nga popujt e tjerë, në të serviren vetëm gjëra të ëmbla.
Në viset e ngrohta të gjysmësferës jugore të rruzullit tonë, Viti i Ri kremtohet në stinën e verës, pa borë dhe mrekullia dimërore me të cilat jemi mësuar në viset veriore. Por me sa duket kjo, nuk e zvogëlon aspak madhështinë e kremtimit të saj.
Në shumë vende dhe shtete të botës, mes tyre dhe në Shqipëri, tashmë është krijuar tradita që Viti i Ri të pritet dhe kremtohet në mënyrë kolektive, në sheshe të hapura ku të gjithë të bashkuar presin çastin kur akrepat bashkohen dhe sjellin Vitin e Ri.





