Të ëndërrosh nuk është diçka e keqe. Me sforco dhe fat, për Skënderbeun dhe Shkëndijën ëndrrat mund të jenë të mëdha. Dy skuadrat e vetme shqiptare që kanë mbetur në garë në kualifikueset e Europa League kanë mundësinë që në këtë edicion të përballen me disa prej skuadrave gjigande të Europës.Është e vërtetë që më parë duhen luajtur sfida e turit të dytë, ku korçarët do të kenë përballë kazakët e Kairat Almati, ndërsa tetovarët do të përballen me finlandezët e HJK Helsinkit. Ndeshjet e para do të luhem më 13 Korrik, ndërsa sfidat e kthimit më datë 20.Por, ndërsa përgatiten për ndeshjet e radhës, te Skënderbeu dhe Shkëndija e kanë të qartë që kualifikimi në turin e tretë do të vlente shumë më tepër sesa thjesht të ardhurat nga UEFA për ndeshjet ndërkombëtare.Me kalimin në turin e tretë kualifikues të Europa League, emrat e kundërshtarëve janë ndër më sugjestionuesit.
Nga rusët e Zenitit, që në bazë të koeficientit kryesojnë vazon e skuadrave favorite, për të vijuar me spanjollët e Athletic Bilbaos, turqit e Galatasarayt dhe Fenerbahce, por edhe çekët e Spartës së Pragës por edhe italianët e Milanit.Jo më pak prestigjoze skuadrat e tjera, nga PSV Eindhoven, Braga, Gent e PAOK, për të vijuar me Krasnodar, Bordo, Marseille, Everton dhe Dinamo e Zagrebit. Një listë e gjatë kundërshtarësh me emër në Europë, të cilave u shtohen edhe Freiburg, Austria e Vjenës dhe Panathinaikosi.Kundërshtarë të cilët klubet shqiptare dhe tifozët i dëshirojnë. Ëndrra që në rast të kalimit të turit të dytë kualifikues, shumë shpejt mund të kthehen në një realitet të bukur.