13 qershor 2015 – Mbrëmjen e djeshme, të dy kandidatët për Bashkinë e Durrësit, Vangjush Dako dhe Grida Duma ishin të ftuar në emisionin “Zonë e Lirë” të Arian Çanit.
Nuk u përballën me njëri-tjetrin në një debat politik publik, por dolën veç e veç njëri pas tjetrit. I pari ishte Dako, dhe menjëherë pasi ai u largua, doli rivalja Duma.
Megjithatë nuk kanë munguar pyetjet e gazetarit Çani për kundërshtarët e secilit prej tyre.
Në intervistën e titulluar “Ç’thuhet nga Durrësi”, Çani e pyet Dakon se çfarë thuhet për Gridën në Durrës.
“Flet shumë, flet broçkulla. Kur flet shumë, broçkulla do flasësh”, deklaroi Dako për rivalen e tij politike.
Ndërsa, Grida Duma gjatë kësaj interviste nuk la pa kritikuar Dakon, për mënyrën e menaxhimit të qyetit dhe për betonizimin e objekteve antike mijëravjeçare, ku këto i fundit i ilustroi dhe me disa foto.
Të dy dukeshin entuziastë për këtë garë të fuqishme të një qyteti të rëndësishëm siç është Durrësi, por rezultati do të shihet brenda pak ditëve.
/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





