Rivali i Vladimir Putin, Boris Nadezhdin, ka thënë se atij i është ndaluar të kandidojë në zgjedhjet ruse të marsit dhe është zotuar të nisë një apel në gjykatën supreme të vendit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) tha se kishte gjetur të meta në nënshkrimet që zoti Nadezhdin dhe aleatët e tij kishin mbledhur në mbështetje të kandidaturës së tij dhe se disa nga nënshkrimet e supozuara ishin ato të njerëzve që tanimë kishin ndërruar jetë.
“Kam mbledhur më shumë se 200,000 nënshkrime në të gjithë Rusinë. Ne e bëmë mbledhjen hapur dhe me ndershmëri, radhët në selitë tona dhe pikat e grumbullimit u vëzhguan nga e gjithë bota,” tha ai.
“Pjesëmarrja në zgjedhjet presidenciale në 2024 është vendimi më i rëndësishëm politik i jetës sime. Unë nuk po heq dorë nga qëllimet e mia,” shtoi ai.
Ai habiti disa analistë me kritikat e tij të forta ndaj asaj që Kremlini e quan “operacioni i tij special ushtarak” në Ukrainë, duke e quajtur luftën një “gabim fatal” dhe duke u zotuar se do të përpiqet t’i japë fund asaj përmes negociatave.
Kremlini ka thënë se nuk e sheh zotin Nadezhdin si një rival serioz.