Teuta ka një shans të artë në Ligën e Konferencës, aty ku më 22 korrik do të luajë ndeshjen e parë në stadiumin “Niko Dovana” kundër skuadrës kampione në fuqi të Andorrës, Inter Club d’Eskaldes.

Pas eliminimit në Ligën e Kampioneve, tashmë durrsakët do të jenë pjesë e turit të dytë të kompeticionit më të ri të UEFA-s, teksa kanë mundësinë jo thjesht për të kaluar një raund ndaj modestëve andorrianë, por mbi të gjitha për të arkëtuar edhe 650 mijë euro të tjera.

Deri më tani, krahas një shifre rreth 1.2 milionë euro që ka arritur të përfitojë klubi prej bonuseve të UEFA-s (këtu futet edhe shpërblimi i FSHF dhe e drejta TV), Teuta mund ta mbyllë aventurën evropiane me 1 milionë e 850 mijë euro të arkëtuara, duke vendosur një rekord për të ardhurat.

Shorti për turin e tretë hidhet më 19 korrik nga UEFA, por në raundin e tretë futen në lojë klube me emër në Europë, si Anderleht, PAOK, Viteshe, Trabzonspor etj. Gjithsesi, për të shkuar në grupet e Ligës së Konferencës, përveç turit të tretë, ka edhe “play off”, kështu që për Teutën ka një malore pas ndeshjeve që duken të lehta në letër me Inter d’Eskaldes. I rëndësishëm për kampionët e Shqipërisë është fakti se nëse kalojnë turin e dytë u shtohen edhe 650 mijë euro të ardhura.

KUNDËRSHTARI-Inter Club d’Eskaldes u eliminua në turin paraeliminator të Ligës së Kampioneve nga Prishtina. Klubi nga Andorra është kampion prej dy sezoneve radhazi (2019-2020 dhe 2020-2021), ndërsa në historinë 30-vjeçare ka marrë një Kupë dhe një Superkupë (të dyja në vitin 2020). Inter Club d’Eskaldes është një klub me seli në Eskaldes-Engordany dhe është themeluar në vitin 1991. Për herë të parë në elitën e futbollit të shtetit të vogël, Andorrë, ka marrë pjesë në vitin 1995.

Klubi luajti që nga 1995 deri në prill 2015 në Superligë, ndërsa më pas zbriti pasi e mbylli sezonin në vendin e tetë. Klubi u kthye në elitë pas dy sezonesh, në maj 2017.Inter arriti dy herë pozicionin e tretë në Primera Division, gjatë dy sezoneve radhazi në 1999- 2000 dhe 2000-2001, ndërsa humbi një finale kupe në vitin 2002 kundër FC Lusitanos. Kjo është hera e dytë që Inter Club d’Eskaldes merr pjesë në turin paraeliminator të Ligës së Kampioneve, ku pasi humbi finalen ndaj Prishtinës, tashmë është spostuar në turin e dytë të Ligës së Konferencës.

Klubi bluzi ka pasur një mbështetje të fortë nga një kompani e lidhur me ndërtimin, teksa inicialet e saj “CM”, kanë qëndruar në fanellë deri dy vite më parë. Trajner është 41-vjeçari nga Spanja, Alberto Lopo, një ish-futbollist i njohur që ka bërë karrierë në La Liga me Deportivo La Korunjën dhe Espanjolin. Vetëm pak javë më parë spanjollit të lindur në Barcelonë iu besua roli i trajnerit, teksa në vitin 2018 ka hequr dorë nga futbolli i luajtur.

BONUSET

SHPËRBLIMET E SIGURTA PËR TEUTËN NGA UEFA

* 260 mijë euro nga UEFA si ekip kampion për sezonin 2020-2021 në Kategorinë Superiore;

* 280 mijë euro për pjesëmarrjen në turin e parë të Ligës së Kampioneve;

* 450 mijë euro për pjesëmarrjen në turin e dytë të Ligës së Konferencës;

* 100 milionë lekë të vjetër nga FSHF për titullin kampion të fituar (rreth 90 mijë euro);

* 70 mijë euro nga shitja e së drejtës TV;

* Nëse Teuta kualifikohet për në turin e tretë Ligës së Konferencës, atëherë nga 1.2 milionë euro të sigurta, i shtohet edhe një bonus prej 650 mijë eurosh nga UEFA.