Rivendoset kapaku i ri prej xhami në pusin shekullor te sheshi “Liria” në Durrës. Kapaku i ri është vendosur nga punonjësit e bashkisë, pas plasaritjeve që pësoi xhami i mëparshëm, çka përbënte rrezik edhe për qytetarët që kalojnë aty apo edhe turistët që ndalen për ta vizituar.

Ditët e fundit perimetri i pusit ishte rrethuar me disa llamarina në mënyrë që të shamngej ndonjë incident i mundshëm me kalimtarët e rastit, që rrezikonin të binin brenda pusit nëse kapaku do të fundosej.

Për këtë u mbulua me një shtresë të re xhami të blinduar, ndërsa “DurrësLajm” konstaton se këtë radhë mungon ndriçimi elektrik, i cili e bënte më tërheqës pusin si natën edhe ditën për vizitorët vendas dhe të huaj.

(Foto: Si ishte pusi me ndriçim)

Ky pus i pozicionuar në zemër të Durrësit, dhe që mban vlera të veçanta arkeologjike, u zbulua në nëntor të vitit 2014 gjatë punimeve që u kryen asokohe për rehabilitimin e sheshit “Liria”.

Venndodhja e pusit në raport me godinën e Bashkisë është rreth 14 metra distancë dhe diametri i grykës së tij është 80 cm. Nga ana e specialistëve është vërejtur se pusi është ndërtuar me materiale të ndryshme si, guri, tulla, qeramike të ngjashme me materialet e zbuluara në zonën përreth.

S.L.