Me 16 Gusht 2021 u zhvillua aksioni i 19-të i River Cleanup Albania pranë Kepit të Rodonit, simboli i RiverCleanupAlbania.

U bënë bashkë plot 23 vullnetarë nga Durrësi dhe Tirana të RiverCleanupAlbania, kryesisht studentë të UAMD-së dhe gjimnazistë të shkollës ‘IbrahimKodra’, por edhe studentë të FShN, UT e FShMT, UM, aktivistë natyre, mësues e pedagogë; 4 punonjës të Drejtorisë së Shërbimeve Komunale, Bashkia Durrës, që dërguan mbetjet e grumbulluara në landfillin e Sharrës; 2 specialistë të Agjencisë së zonave të mbrojtura Durrës, dhe 7 pushues pranë plazhit të Shën Pjetrit, zonë e mbrojtur, Gjiri i Lalzit- Kepi i Rodonit.

Nën drejtimin e koordinatorit të terrenit, banorit të Lalzit, Drini Muharremi dhe koordinatoreve të vullnetarëve me përvojë mbi 10 aksione, gjimnazistes së Durrësit, Brigena Deda dhe studentes së UAMD-së, Genta Mësaja, vullnetarët arritëm të pastrojnë plot 300 kg mbetje, kryesisht plastikë dhe qelq.

“Ajo çfarë konstatuam ne si lëvizje vullnetare RiverCleanupAlbania tek plazhi Shën-Pjetër, zonë e mbrojtur me VKM, është mungesa e koshave për pushuesit e plazhit publik, kurse plazhet private ishin tejet të pastër. Edhe ato kosha që ekzistonin anash rrugës për në plazh, ishin plot me mbetje të freskëta, çka tregon që situata është problematike gjatë sezonit veror. Shpresojmë që pushuesit të ndërgjegjësohen, edhe pse midis tyre pati që ju bashkuan aksionit të pastrimit! Shpresojmë që autoritetet të marrin masa sa më shpejt, duke nxjerrë edhe klauzola që plazhi privat ka detyrim të pastrojë plazhin publik ngjitur me të, si dhe autoritetet lokale dhe qendrore të pastrojnë rrugët në drejtim të plazhit dhe shtojnë koshat për zonat e mbrojtura! Falënderojmë partnerët tanë Iliad_hotel që suportoi transportin e vullnetarëve me kosto të reduktuar nga agjencia Eden Tours dhe River-Cleanup.org, që suportoi fotografinë, dronin, DJ, ushqimin, pijet e vullnetarëve, dorezat dhe thasët.”,- shkruhet në njoftimin për shtyp të River Cleanup Albania.