Në Ditën Botërore të Mjedisit, “River CleanUp Albania” zhvilloi një aksion pastrimi në plazhin e Sektor Rinisë në Durrës. Këtij aksioni iu bashkuan edhe studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu”:
“Bashkimi në këtë kauzë fisnike për mbrojtjen e mjedisit, ruajtjen e burimeve, një botë të pastër dhe të bukur është zgjim dhe frymëzim për të rinjtë.
Ndotja mjedisore është vërtet problematikë globale, por lypset të veprojmë lokalisht. Universiteti, pushteti lokal, shoqëria civile e sipërmarrja duhet të bëhen bashkë, sepse mosveprimi nuk është më opsion.
Faleminderit nga zemra studentëve që me aktivizmin e tyre servirin modele, ndryshojnë mendësi dhe shtrojnë udhën për aksione më të mëdha. Ju jeni e ardhmja!
Faleminderit River Cleanup për organizimin dhe bashkëpunimin dhe European Union in Albania për mbështetjen.”, thuhet në postimin e UAMD në rrjete sociale.
1-vjetori i River Cleanup Albania
Të nderuar vullnetarë të lëvizjes RiverCleanupAlbania, të nderuar miq, mbështetës dhe partnerë, e nderuar Europa House dhe Ambasador i BE për Shqipërinë, z. Luigi Soreca, që e mbështete këtë lloj iniciative kaq humane, në Ditën Botërore të Mjedisit!
Dua ta nis me gjimnazistët dhe studentët, ata që na besuan të parët mua, Prof. Jerinës dhe Dr. Brisës, që nga kontakti i parë që pata përmes instagramit si sot një vit më parë, 5 Qershor 2020, me liderin e @River Cleanup, z. Thomas de Groote, e cila do të mund të sillte një ndryshim të prekshëm për lumenjtë tanë, veçanërisht lumin Ishëm, sot për sot më i ndoturi në Evropë.
E nisëm me 5 River ‘Warriors’ siç na quan @RiverCleanup ose ‘Luftëtarë të Lumenjve’ aksionin e parë përgjatë lumit Erzen më datë 7 Qershor në Ditën Botërore të pastrimit të lumenjve, siç e quan RiverCleanup, si mesazh që Dita Botërore e Oqeaneve (8 Qershori) të gjejë lumenj dhe dete më të pastra. Shikoni filmin në vitin 2020: https://vimeo.com/434527197.
Pastaj vijuam me aksionin e dytë me 15 River Warriors me 24 Qershor, në Grykëderdhjen e lumit Erzen, ku na mbështeten Agjencia e Zonave të Mbrojtura, Durrës.
Të tretin aksion e realizuam më 8 Korrik 2020, me suportin e @ RiverCleanup, ku prekën për herë të parë grykëderdhjen e lumit Ishëm 17 River Warriors.
Kontrolloni këtë video për të zbuluar situatën në grykëderdhjen e Ishëm: https://vimeo.com/449468655
Atje natyra nuk kish gojë të fliste, si e kishim masakruar njerëzit e popullit shqiptar, se vetë ne e kemi ndotur!
@RiverCleanupAlbania në një vit ka shkruar 4 projekte dhe ka realizuar 11 aksione pastrimi, sensibilizimi dhe monitorimi përgjatë lumit Ishëm nga burimi në grykëderdhje, duke mbledhur 6000 kg mbetje të ngurtë nga 350 vullnetarë ose nga 700 duart e vullnetarëve, ku 80% e mbetjeve rezulton plastikë.
Ajo që të bën përshtypje nga metodika shkencore që përdorim, nga 160 sende të cituara, 90% e sendeve rezultojnë plastikë. Sendet më shpesh të hasura janë shishe pijesh > 0.5l, shishe pijesh ≤ 0.5l, shishe dhe kontenierë detergjentësh të cilat janë përkatësisht 34%, 31%, 10%.
Pra, shqiptarët jo vetëm pijnë shumë ujë dhe kjo ka vlerë për shëndetin e tyre, por edhe janë pastërtorë të mëdhenj, por pas derës së shtëpisë së tyre thërret qameti, çfarë i bënkemi në grykëderdhje natyrës.
Por, le të mendojmë pozitivisht dhe të mësojmë nga gabimet dhe eksperienca e River-Cleanup, Bruksel, një organizatë mjedisore që operon në 45 vende të botës dhe që ka marrë përsipër të pastrojë tri lumenjtë më të ndotur, përkatësisht në Evropë, Ishmin, në Afrikë Wouri dhe në botë Citarum.
Ne shqiptarët duhet të jemi të parët që punojmë së bashku me eksperiencën më të mirë në Evropë, për ta kthyer lumin Ishëm më të pastrin në Shqipëri, pse jo në Evropë!
Për 2021, ajo çfarë duam të bëjmë është të testojmë teknologjinë tek lumi i Gjolës, edukimin e 10 shkollave dhe të kryejmë aksione sensibilizimi dhe pastrimi jo vetëm përgjate lumit Ishë, por edhe në mes të qyteteve ku kalon lumi Ishëm, përfshirë edhe kryeqytetin tonë të dashur, që për hir të së vërtetës është ndotësi kryesor i lumit Ishëm.





