Më datë 31 korrik, “RiverCleanupAlbania”, në vitin e dytë të saj, ndërmori aksionin e dytë në kthesën e lumit të Tiranës, pranë Urës së Rrugës së Rinasit, zona administrative Bërxullë, Bashkia Vorë.
Qëllimi ishte pastrimi i pemëve nga plastika dhe largimi i trungjeve të pemëve të vdekura, si venddepozitë e mbetjeve ndër vite, ardhur nga lumi.
Nën drejtimin e koordinatorit të terrenit, studentit të fizioterapisë Ervin Bajraktari dhe koordinatores së organizimit të vullnetarëve, maturantes së diplomuar me përvojë prej 10 aksionesh, Sindi Rexha u pastruan plot 60 kg mbetje, majë pemëve/rrethuar trugjet e tyre, nga 14 vullnetarët e “RiverCleanupAlbania”.
“Vlen të theksohet se në këtë aksion patëm ndihmën e prefektit të Tiranës, z.Mersin Murataj, i cili mobilizoi administratorin Bërxullë, z.Dritan Zeneli, duke na bashkuar me 8 punonjës të Bashkisë Vorë, të cilët prenë me sharrë dore trungjet e pemëve të vdekura dhe i lëvizin nga vendi disa prej tyre, por puna nuk u përfundua plotësisht, pasi nevojiteshin mjete të rënda, si fadromë që mund të largoheshin të gjitha trungjet e pemëve dhe pemët e gjalla të pastroheshin totalisht nga mbetjet. Bashkia Vorë nga premtoi që do ta vijonte ajo më tej pastrimin dhe largimin e mbetjeve të mbledhura nga RiverCleanupAlbania. Na gëzoi fakti se pedagogia e Turizmit nga UAMD, Arba Taraku, na premtoi se projekt-detyrat e kursit studentëve të saj, do të zhvilloheshin pranë lumit të Ishmit, për të nxitur vlerat turistike që sjell zona përreth. Pastro lokalisht, festo globalisht!”, shkruhet në postimin e “RiverCleanupAlbania” në Instagram.
Energjia pozitive e vullnetarëve të “RiverCleanupAlbania” për t’ja dalë mbanë edhe në kushtet kur lumit i afrohesh dhe vjen erë ujërash të zeza e ngjyrën e ka jo të kristaltë, nuk ndalet as në ditët e nxehta të verës ku temperaturat janë gjithnjë e në rritje.
Vullnetarët e “RiverCleanupAlbania” janë të bindur se nëse do shkojnë të mbledhin plastikën me gjithë institucionet e kompanitë private, qoftë edhe me një palë doreza e disa vegla pune, siç edhe po ndodh, edhe derdhja e ujërave të zeza që derdhen në lumin e Ishmit, do marrë fund!
Pastro lokalisht, festo globalisht!