Ditën e shtunë skuadra RiverCleanupAlbania realizoi aksionin e 24 me vullnetarët e saj të devotshëm, studentët e Universitetit “Aleksandër Mosiu” Durrës,  gjimnazistët e shkollës “Ibrahim Kodra”, mësuesit e pedagogët e tyre, dashamirës të natyrës.

Në grykëderdhje iu erdhën në ndihmë edhe specialistët e Agjencisë së Zonave të Mbrojtura Durrës e Lezhë, Kryetari i Komunës së Ishmit, Drejtoria e Shërbimeve Komunale Durrës, Bashkia Durrës.

“Çfarë risie solli ky aksion i madh i grykëderdhjes së Ishmit, kur kemi 2 aksione në mot të nxehtë dhe 2 aksione në mot të lagësht? E veçanta e këtij aksioni të madh të grykëderdhjes ishte të shikoje të pastrojnë me duart e tyre vullnetarë fëmijë të moshës 6 vjeç në klasë të parë, sikurse River Warrior, Arni Rakipllari bashkë me babin e tij, profesor Xhafer Rakipllarin, përfaqësues i Rektoratit të UAMD-së;  të pastrojnë nxënës e mësues të shkollës “14 Nëntori” me në krye  drejtoreshën e shkollës, poeten Merita Kuçi;  të pastrojnë edhe kompanitë private Cement Eurotech, me në krye përfaqësuesen e biznesit të skuadrës tonë, Valbona Sakollarin, punonjësit e kompanisë Mastershef, punonjësit e Hysa Shpk, që edhe e suportuan aksionin me shërbime ose financiarisht.

Aksioni u ndoq edhe nga ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi dhe stafin e saj, për të cilën në postimin e RiverCleanUp Albania shkruhet se: “Me thjeshtësinë dhe prakticitetin që e karakterizon, bëri bashkë shkollat dhe universitetet, kompanitë private dhe qeverinë, duke u shfaqur mes fëmijëve dhe Rinisë si vullnetare (leading by example), duke mbledhur mbetjet plastike të diferencuara bashkë me ta. Së bashku, ne pastrojmë, edukojmë dhe transformojmë.”, përfundon postimi.