Projekti për rivitalizimin e zonës pranë Amfiteatrit është kthyer në kryefjalë diskutimesh për banorët e Durrësit.

Me ata që preken drejtpërdrejtë nga ky projekt është takuar sot kreu i degës lokale të PD-së, Igli Cara.

Nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, Cara thotë se “qasja ndaj banorëve është një nga shqetësimet tona të përsëritura, që nga prezantimi i tij”.

Ai shton se do t’u ofrojnë mbështetje ligjore në çdo hap banorëve, “që janë në të njëjtën kohë edhe taksapagues të rregullt prej dekadash”.

Postimi i plotë:

Një takim me banorët pranë Amfiteatrit, ku kryefjalë ishte problematika e krijuar, si pasojë e projektit për rivitalizimin e zonës.
Vendimi i shpallur në fletoren zyrtare ka krijuar jo pak pakënaqësi për familjet e para që do të largohen nga shtëpitë e tyre.
Megjithëse, nuk ka patur asnjë vlerësim për dëmet e tërmetit, këto banesa, në mënyrë të pashpjegueshme rezultojnë të dëmtuara.
Ndërkohë, që po përgatitet një draft për rritjen e taksës së banesave, në përputhje me çmimet e tregut, këta banorë duhet ta harrojnë blerjen e shtëpisë në qytet, pasi dëmshpërblimi i përcaktuar nga qeveria është shumë larg vlerës reale.
Shumë pyetje të mbetura pa përgjigje për këto familje, nga Bashkia e Durrësit dhe jo vetëm.
Qasja ndaj banorëve që preken drejtpërdrejtë nga zbatimi i projektit është një nga shqetësimet tona të përsëritura, që nga prezantimi i tij.
Mbështetje ligjore në çdo hap, duke nisur nga proçeset e ankimimit, për këta banorë, që janë në të njëjtën kohë edhe taksapagues të rregullt prej dekadash, në këtë qytet, që nuk është më i tyre!