Qytetarët që janë të interesuar të kryejnë rivlerësimin e shtëpisë fillimisht duhet të paraqiten në zyrat e regjistrimit të pasurive të patundshme për të plotësuar formularin “Kërkesë për rivlerësim”.

Pas plotësimit të formularit, qytetarët duhet të dorëzojnë edhe disa dokumente për procesin e rivlerësimit, të publikuara në Agjencinë e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara. Gazeta Panorama boton dokumentet që nevojiten për qytetarët që kërkojnë të rivlerësojnë shtëpitë me çmimet fiskale të Hipotekës, apo kur rivlerësimi do të bëhet nga vlerësuesit privatë të pasurisë. Sipas Zyrës së Përgjithshme të Regjistrimit të Pasurive, procesi i rivlerësimit mbyllet brenda 48 orëve. Afati për rivlerësimin e shtëpisë me taksën e ulur 2 për qind nga 15 për qind që ishte më parë është deri më 31 maj. 

PROCEDURA 

Qytetarët që do të rivlerësojnë shtëpinë me çmimet fiskale të Hipotekës pas plotësimit të formularit, duhet të dorëzojnë një kopje të kartës së identitetit, kopjen e dokumentit të pronësisë dhe prokurën, në rast se aplikimi do të kryhet nga një person i autorizuar nga pronari i shtëpisë. Taksa që do të paguhet llogaritet nga diferenca e çmimit të mëparshëm të shtëpisë dhe çmimit aktual, që llogaritet sipas çmimeve fiskale që janë në fuqi. P.sh., një shtëpi 100 m², që është pranë Ministrisë së Jashtme, ku çmimi fiskal është 95 mijë lekë/m², ka vlerë 9,5 milionë lekë, nëse kjo shtëpi në këtë zonë më herët është regjistruar me vlerë 8 milionë lekë, tatimi që do të paguhet do të jetë 30 mijë lekë.  

Qytetarit i njihet e drejta për ta bërë rivlerësimin edhe me anë të një eksperti të licencuar. Pra, e thënë ndryshe, ai mund të zgjedhë vullnetarisht nëse rivlerësimi do të bëhet nga Hipoteka, apo nga vlerësuesit privatë të pasurisë. Në rast se rivlerësimi i pasurisë do të bëhet nga një ekspert i licencuar, atëherë formularit që do t’i dorëzohet Hipotekës duhet t’i bashkëlidhet edhe fotokopja e licencës së vlerësuesit të pasurisë, si dhe akti origjinal i vlerësimit të pasurisë së nënshkruar dhe të vulosur nga eksperti vlerësues i pasurisë. Udhëzimi parashikon që kur shtëpia rivlerësohet nga licencuesi privat, hipoteka nuk regjistron shtëpinë e rivlerësuar, nëse vlera e shtëpisë është më e ulët se çmimet fiskale që janë në fuqi.