TIRANE – Duket se çështja e vrasjes së Eleni Bashos, nënës së dy fëmijëve e ekzekutuar me armë më 2 shkurt 2012 po "rizgjohet" sërish.
Dosja e saj nuk është mbyllur asnjëherë megjithatë pas shpalljes i pafajshëm të Ilia Bashos, bashkëshortit të saj, i cili u dyshua si porositës i vrasësve, hetimet kishin rënë në qetësi.
Por burime nga prokuroria pohojnë se vazhdojnë hetimet për gjetjen e autorëve ndërsa nuk jepen detaje të tjera për ngjarjen duke ruajtur sekretet hetimore.
Vrasja e Eleni Bashos, laborante, tronditi në fillimin e vitit që shkoi kryeqytetin.
Ajo u qëllua nga dy persona ende të paidentifikuar vetëm 150 metra larg shtëpisë së saj në zonën e Shkozës në Tiranë.
Gruaja në atë kohë posedonte të gjitha të drejtat mbi bizneset të cilat ishin regjistruar në emër të saj.





