15 shtator 2015 – Bledian Rizvani “arkivon” humbjen me Kukësin dhe mendon për ndeshjen e ardhshme.
Kapiteni i Teutës nuk e bën dramë disfatën me shifrat 3-0 në “Zeqir Ymeri”, teksa garanton se kthesa nuk do të vonojë. Portieri u bën analizë 90 minutave të fundit në transfertë dhe flet për objektivat: “Nuk ishim në ditën tonë më të mirë ndaj Kukësit. Çaluam në të gjithë repartet, duke filluar nga unë i pari. Bëmë gabime të shumta në organizimin e lojës dhe në qarkullimin e topit. Kishim shumë tension, gjë që na uli rendimentin e lojës dhe rrjedhimisht rrezikshmërinë. Kukësi i luajti mirë “kartat” dhe e përgëzoj për ketë. Përgjegjësia është e përbashkët. Tani duhet të shohim përpara, pasi kampionati nuk është mbyllur. Kthesa do të jetë e menjëhershme, këtë do ta shihni në Durrës. Mendoj se është shpejt për të bërë analiza, kanë kaluar vetëm 270 minuta lojë. Do të ndeshemi nga 4 herë me çdo kundërshtar. Madje, edhe me Kukësin që na mundi, do të luajmë edhe tri herë të tjera. Në fund të fundit, nga 10 ekipe që ka Superiorja, 6 prej tyre janë pretendente”.
Teuta është ngarkuar me kartona, por Rizvani thotë se për kartonët është e vërtetë, kemi marrë disa deri tani. Edhe trajneri Magani ka folur dhe tha se duhet të jenë shumë të kujdesshëm në vazhdim. Në lidhje me ndeshjen e radhës kundër Tërbunit, Rizvani shprehet: “Kudo që shkojmë dhe përballë çdo kundërshtari ne duam fitoren. Teuta do të kthehet. Ndaj Tërbunit do të jetë dhe më e vështirë, pasi jemi të detyruar të fitojmë. Ekipi pukjan ka bërë shumë afrime dhe lojtarë me eksperiencë, por do t’ia dalim. Në këtë 90-minutësh do t’u tregojmë të gjithëve se Teuta nuk është ajo që u pa në Kukës.”
/portali DurresLajm/