Durrës, 29 prill 2014 – Portieri dhe kapiteni i durrsakëve Bledian Rizvani nuk e vë në dyshim faktin që Teuta do të presë biletën për Europë. Sipas tij, fitorja ndaj Skënderbeut i ka rritur shanset që të pretendojnë një vend në zonën “Euro”. Gardiani i bën një analizë përballjeve të mbetura, duke theksuar se Teuta ka kalendar më të lehtë se kurbinasit.

“Ishte shumë e rëndësishme të fitonim ndaj Skënderbeut, përndryshe rrezikonim sezonin. Aktualisht jemi me pikë të barabarta me Laçin, të cilin kemi besim se do ta parakalojmë në javët e mbetura. Kurbinasit kanë një kalendar shumë herë më të vështirë se ne, pasi do të përballen me Partizanin e Skënderbeun, ndërsa ne udhëtojmë drejt Lushnjës, trepikësh me Bylisin e përjashtuar, dhe përballemi me Vllazninë. Personalisht mendoj se në fund të kampionatit Teuta do të renditet mbi Laçin. Për ne e rëndësishme është që Kukësi të fitojë kupën kundër Flamurtarit. Nëse do të jetë kështu, as që e diskutojmë Europën”, – u shpreh kapiteni. 

Të mërkurën Teuta do të udhëtojë drejt Lushnjës për të luajtur ndeshjen e radhës, ku të besuarit e Biturkut janë të dënuar me fitore.

“Përpara kemi një tjetër sfidë të vështirë, e cila duhet kaluar me sukses, pasi në të kundërt do të hedhim në erë sezonin ende pa mbaruar. Lushnja nuk ka çfarë të humbë dhe s’ka presion mbi vete. Ndërkohë e kundërta ndodh me ne, që në këtë fundsezoni jemi tejet të tensionuar, sepse nuk e kemi arritur ende objektivin. Do të jetë një përballje e fortë, por as që mendojmë rezultat tjetër veç fitores. Do të shkojmë në Lushnjë për të bërë detyrën, duke fituar bindshëm”,- përfundoi Rizvani.

Ndeshja Lushnja-Teuta dhe të gjitha ndeshjet e tjera do të luhen të mërkurën në orën 16.00.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/