Durrës, 25 shtator 2014 – Përveç rezultateve negative të fiksuara në pesë javët e para të kampionatit, durrsakët i pret një kalendar shumë i vështirë. Fillimisht “djemtë e detit’ do të përballen me Skënderbeu, më pas udhëtojnë drejt transfertës së vaështirë të Kukësit, e më pas përballen me Apolonin dhe Tiranën.
Kapiteni i ekipit Bledian Rizvani e konsideron si kalendar të vështirë, duke theksuar se të gjitha skuadrat e këtij kampionati janë shumë të forta. Gjithsesi, ka besim se skuadra e tij nga ndeshja në ndeshje do të bëjë progres.
“Na pret një kalendar shumë i vështirë, prandaj ndaj Skënderbeut duhet të fitojmë patjetër, edhe sikur përpara të kemi një skuadër europiane. Kjo fitore na duhet edhe për të shkuar me moralin lart në Kukës, ku edhe atje na pret një tjetër përballje zjarri. Është një kalendar i vështirë, prandaj duhet t’i marim ndeshjet një e nga një duke marë maksimumin prej tyre. Kemi një grup shumë të mirë lojtarësh, të cilët mund të përballojnë me sukses çdo kundërshtar. Unë mendoj se është çështje kohe kjo që nuk po marim dot rezultate pozitive. Por, pavarësisht rezultateve të deritanishme, Teuta nuk është skuadër që do të luftojë për mbijetësë. Ne kemi objektivat tona dhe synojmë të ngjitemi sa më lartë në tabelen e klasifikimit dhe jemi të bindur që në fund të sezonit ky objektiv do të arrihet me sukses”.
Rizvani thekson se shumë shpejt Teuta do të rikthehet atje ku i takon.
“Po kalojmë një periudhë shumë të vështirë, pasi nuk po arrijmë dot rezultate pozitive. Po punojmë dhe përpiqemi maksimalisht, me qëllim që të dalim nga kjo situatë e keqe. Kemi lënë shumë pikë, çka do të thotë se kemi bërë paraqitje të dobëta në aspektin e rezultateve, të cilat kanë më shumë rëndësi dhe duhet që me patjetër të rikuperojmë në vazhdim. Këtë sezon skuadrat janë mjaftë të forta dhe nuk ka kundërshtar të dobët, madje as në letër jo dhe do të jetë shumë e vështirë për të përmirësuar pikavarazhin. Megjithatë, unë mendoj që të hedhim pas krahëve gjithçka ka ndodhur deri në këto momente dhe të fokusohemi totalisht tek e ardhmja, e cila është edhe kryesorja, pasi të shkuarën nuk e zhbëjmë dot”, thekson kapiteni.
/ D.B. Agjencia e Lajmeve Dyrrah /





