22 shtator 2015 – Pas fitores ndaj Tërbunit, “djemtë e detit” në fundjavë do të udhëtojnë drejt kryqeqytetit për të zhvilluar transfertën ndaj Tiranës. Në Durrës tashmë është krijuar mendimi se Teuta nuk do të largohet nga kryeqyteti me duart bosh.

“Fitorja me Tërbunin ka kthyer moralin në ekip. Të gjitha repartet e Teutës po funksionojnë mjaft mirë, por nuk ka vend për vetëkënaqësi, pasi kampionati sapo ka nisur. Jemi tepër optimistë, duke ditur se Teuta e këtij sezoni është e dubluar në çdo rol, por kërkojmë mbështetje më të madhe nga tifozeria. Tani vëmendja jonë është e përqëndruar vetëm te ndeshja e radhës. Një pikë ndaj Tiranës do të na interesonte, për vetë faktin se luajmë në transfertë ndaj një pretendeti për titull. Teuta e këtij edicioni do të jetë “një kockë e fortë” për çdo kundërshtar, kështu edhe ndaj Tiranës do të tregojmë se jemi një ekip cilësor. Pika na intereson, por kjo nuk do të thotë, që ne shkojmë për barazim, pasi synimi ynë është të fitojmë ndaj çdo kundërshtari”, deklaron portieri dhe kapiteni i durrsakëve, Bledian Rizvani.

/portali DurresLajm/