3 dhjetor 2014 – Teuta e ka lënë pas humbjen e pësuar ndaj Partizanit dhe e ka përqendruar vëmendjen te sfida e radhës ndaj kampionëve në fuqi, Skënderbeu. Edhe pse situata nuk është më e mira te “djemtë e detit”, nuk mungon besimi se në Korçë mund të marrin një rezultat pozitiv. Të gjithë, duke nisur nga numri një i pankinës durrsake, Begeja, e deri te lojtarët, janë të bindur se nuk do të dalin duarbosh nga kjo transfertë, ndërsa shprehen se nuk ndihen aspak inferiorë përballë kampionëve. Madje, sipas tyre, Teuta luan më mirë kur përballë ka kundërshtar të nivelit të Skënderbeut, ndaj të cilit fitoi në “Niko Dovana” gjatë fazës së parë të kampionatit. Në kampin durrsak besojnë se do të bëjnë gjithçka të përsërisin suksesin e fazës së parë, ndonëse janë të ndërgjegjshëm për vështirësitë e këtij takimi, duke qenë se edhe Skënderbeu vjen pas një humbje. Kapiteni dhe portieri i Teutës Bledian Rizvani u kërkon falje tifozëve dhe drejtuesve të klubit për momentet e vështira që po kalon skuadra e Teutës:
"Humbjet e njëpasnjëshme kanë lënë një shije të hidhur në skuadër, tifozeri, por edhe në radhët e drejtuesve të klubit. Të gjithë ndjejmë përgjegjësi morale për gjendjen e vështirë që po kalon skuadra ndaj kërkojmë falje, për këtë situatë në të cilën është përfshirë Teuta. Krahas kundërshtarit mjaftë të vështirë, mendoj se humbëm një mundësi shumë të mirë për të marë tre pikë, si dhe për të dalë nga kjo situatë e pakëndëshme ku ndodhemi përj disa javësh. Megjithatë, unë kam besim se situata do të ndryshojë dhe skuadra do të rikthehet tek rezultatet pozitive", u shpreh fillimisht portieri. Duke vijuar me tej prononcimin e tij Rizvani i cili bëri një paraqitje të mirë në përballjen me Partizanin, shprehet se Teuta nuk e meritonte humbjen. Sipas tij, skuadra bëri një paraqitje të mirë dhe lojtarët dhanë maksimumin në fushën e lojës. "Me paraqitjen që bëmë ndaj Partizanit, mendoj se nuk e meritonim humbjen. Barazimi do të ishte rezultati më i drejtë, për atë që skuadrat dhanë në fushën e lojës. E kishim vlerësuar shumë atë ndeshje dhe me përjashtim të disa fraksioneve, kam përshtypjen se luajtëm mirë. Duhet ta kishim evituar këtë humbje dhe në fakt patëm rastin me anë të Premçit për ta barazuar rezultatin në minutat e fundit të ndeshjes. Mungesat e katër lojtarëve: Krasniqit, Kotobellit, Koreshit dhe Rafaelit ndikuan. Pothuajse mungonte gjysma e skuadrës. Megjithatë, të kaluarën nuk e zhbëjmë dotë dhe sna ngelet gjë tjetër veçse të shikojmë përpara. Ta hedhim pas krahëve këtë rezultat negativ dhe të mendojmë për ndeshjen e radhës, ku të përpiqemi të marim një rezultat pozitiv. Përballë do të kemi skuadrën kampione në fuqi, Skenderbeun, por unë kam besim tek grupi", përfundoi kapiteni.





