Kamza nuk di të ndalet. Drejtuesit e klubit, presidenti Naim Qarri dhe kryebashkiaku Xhelal Mziu e kanë të qartë objektivin për sezonin e ri, rikthimin e skuadrës në Superiore. Pas zyrtarizimit të tri goditjeve cilësore, Erlis Frashërit, Alis Boçit dhe Ermir Rezit, kanë ardhur edhe dy afrimet e radhës në skuadër. Bëhet fjalë për lojtarë që kanë qenë pjesë e ekipeve të Superiores deri kampionatin e kaluar. Drejtuesit kanë arritur akordin me portierin e Teutës, Bledian Rizvani, dhe mbrojtësin Elton Basriu, që ishte pjesë e Bylisit. Drejtuesit kanë qenë gjatë këtyre ditëve në bisedime me disa portierë. Një prej tyre ishte edhe Mario Bytyçi. Por, me këtë të fundit nuk u arrit asnjë marrëveshje. Klubi e kishte të domosdoshme edhe një portier të dytë dhe tashmë ai do të jetë Rizvani. Gardiani e ka arritur akordin me presidentin Qarri dhe tashmë pritet vetëm nënshkrimi i kontratës. Kamzalinjtë e kanë blinduar portën duke pasur dy portierë të shkëlqyer siç janë Fabio Gjonikaj dhe Bledian Rizvani. Ky i fundit me një përvojë të gjatë në Superiore duke qenë pjesë e Teutës së Durrësit në 7 sezonet e fundit radhazi, ku ka luajtur 163 ndeshje me këtë skuadër. Një tjetër akord drejtuesit e klubit kanë arritur edhe me mbrojtësin elbasanas, 28-vjeçarin Elton Basriu. Ky i fundit mund të luajë edhe në mesfushë. Gjatë kampionatit të fundit, lojtari ka qenë pjesë e Bylisit dhe e njeh shumë mirë Superioren. Në vazhdim priten afrime të tjera në skuadër.
Rizvani do të luajë për Kamzën, pritet nënshkrimi i marrëveshjes
Na bëni like ne facebook:
Na ndiqni ne rrjetet tona sociale:
Të ngjashme
Të fundit
Ish-sulmuesi i Sitit dhe Interit mbyll karrierën pasi i vranë shokun e skuadrës pak ditë më parë
Tajvanezët rrezikojnë gjobë deri në 477 dollarë, nëse s’u vendosin edhe maceve mikroçipa
Rezultatet zhgënjyese, Teuta projekton ndryshime në janar
Dy zakone në rrjetet sociale që po na shkatërrojnë ngadalë jetën





