4 qershor 2014 – Kapiteni i Teutës, Bledian Rizvani deklaroise skuadra do të jetë një pretendente dhe kundërshtar shumë i fortë për të gjithë kundërshtarët. Ai shtoi se ekipi do të luftojë me të gjithë për kampionatin dhe kompeticionet e tjera ku merr pjesë. Ai shprehu të gjithë besimin e tij se presidenti Hasanbelliu pavarësisht largimeve të shumta do të ndërtojë një skuadër të fortë për sezonin e ardhshëm. Kjo javë pritet të sjellë zhvillime në kampin durrsak. Disa prej lojtarëve që u ka përfunduar kontrata me klubin, pritet të takohen me presidentin Edmond Hasanbelliu për të vendosur mbi të ardhmen e tyre. E, ndërsa një pjesë e lojtarëve titullarë kanë shpallur divorcin, si Daniel Xhafaj, Tefik Osmani dhe Idriz Batha, shumë të tjerë kanë mbetur pezull. Në kushte të tilla, pritet me interes që të zbulohet se si do të shkojnë bisedimet e Jakupit, Dostit, Hodos dhe Nikës me presidentin e Teutës. Titullarëve u kanë skaduar kontratat, ndaj momentalisht mund të quhen futbollistë të lirë në treg. Ata kanë deklaruar se gjatë kësaj jave do të vendosin se çfarë do të bëjnë, nëse do të qëndrojnë edhe për një sezon në Durrës, apo do të shkojnë diku gjetkë. Nga sa pritet, ekipi do të prezantohet me një fytyrë të re për sezonin e ri 2014-2015. Shumë pak nga lojtarët, të cilët këtë sezon u aktivizuan në radhët e durrsakëve, do të mbeten në organikë. E përkthyer ndryshe, “firot” nuk do të jenë të pakta. Sigurisht që vendet e të larguarave nuk do të qëndrojnë vakante, përkundrazi, pritet që të zëvendësohen me të tjerë, kryesisht me elemente të rinj. Skuadra nuk ka zyrtarizuar ende asnjë blerje, por në Durrës janë të gjithë të bindur se kjo situatë do të ndryshojë shpejt. Madje, besojnë se presidenti do të ndërtojë një skuadër mjaft cilësore për sezonin e ri, e cila do të rivalizojë denjësisht me kundërshtaret e saj.