16 dhjetor 2014 – Humbja e thellë ndaj Kukësit në “Niko Dovana” ka lënë një shije të hidhur për tifozët e Teutës. Pas pesë humbjeve radhazi, në kampin durrsak situata është e nderë dhe kërkohet urgjentisht fitorja në ndeshjen e radhës, pasi në të kundërt situata do të ndërlikohet edhe më tepër, sepse kundërshtarët që ka nën vete do të afroheshin me pikë. Skuadra luan me Apoloninë të mërkurën në orën 13.00, ku nuk vlen asnjë rezultat tjetër përveç fitores.
Durrsakët kanë besim se do të sigurojnë tri pikët e para pas pesë humbjeve radhazi. Në përballjen e radhës, skuadra do të jetë e plotë, përfshi edhe mesfushorin Erlind Koreshi. Ky i fundit rikthehet i gatshëm për këtë ndeshje shumë të rëndësishme për skuadrën e tij. Lushnjari u bë gati një muaj që mungon për shkak të një dëmtimi, teksa prezenca e tij në fushë i jep tjetër autoritet skuadrës durrsake. Sakaq, edhe tifozëria durrsake e pret me padurim këtë ndeshje, sepse kanë besim se skuadra e tyre do të fitojë ndaj Apolonisë. Teuta në njëfarë mënyre do të kërkojë të hakmerret ndaj fierakëve, për atë eliminim të parakohshëm nga Kupa e Shqipërisë. Megjithatë një mungesë e rëndësishme do të jetë ajo e Rizvanit Me shumë mundësi, Teuta do të zbresë në fushë edhe ndaj Apolonisë, një nga ndeshjet më vendimtare, pa kapitenin e saj Rizvanin. Gardiani durrsak i cili mungoi në ndeshjen kundër Kukësit u dëmtua gjatë seancës stërvitore një ditë përpara ndeshjes dhe nuk do të jetë i gatshëm për të ndihmuar skuadrën. Rizvani zvendësohet nga portieri Alfred Osmani, i cili qëndron në të njëjtat nivele dhe është një tjetër pikë e fortë e durrsakëve. Kapiteni Rizvani ka pësuar një dëmtim të rëndë, gjatë një përplasje me sulmuesin Mile, duke thyer disa dhëmbë dhe ka katër qepje. Pavarësisht dëmtimit, gardiani motivon skuadrën duke u dhënë zemër lojtarëve që do të zbresin në fushë:
"Jam i hidhëruar nga humbja me Kukësin por tashmë kemi një ndeshje vendimtare për pozitat tona dhe ndeshja me Apoloninë është shumë e rëndësishme për skuadrën tonë, ndaj duhet që skuadra të jap më shumë se maksimumin e saj. U bëj thirrje të gjithë shokëve të skuadrës të futen në fushë pa frikë dhe të bëjnë më të mirën e tyre. Unë kam besim se shokët e mi do t'ia dalin të fitojnë në këtë ndeshje" u shpreh Rizvani.





