13 mars 2015 – Teuta po vijon me përgatitjet për ndeshjen e radhës në kampionat. Durrsakët do të presin në shtëpi Tiranën e Maganit, skuadër me objektiva krejt të tjera krahasuar me "djemtë e detit", të cilët do të përpiqen me të gjitha mënyrat për të qëndruar mes më të mirave edhe për sezonin e ardhshëm futbollistik. Tekniku Begeja dhe stafi teknik i skuadrës po ponojnë me intesitet në drejtim të përgatijes së kësaj ndeshje, e cila konsiderohet shumë e rëndësishme. Por kundërshtari gjithashtu ka planet e veta dhe do të zbresin në katërkëndëshin e gjelbët të "Niko Dovana"-s për të marë maksimumin në këtë sfidë. Në radhët e "djemve të detit” mbizotëron besimi për një paraqitje të mirë ndaj Tiranës së Maganit dhe pretendojnë rezultat pozitiv. Deri në këto momente, Teuta do të ketë një mungesë shumë të rëndësishme në përballjen me kryeqytetasit, atë të mesfushorit me tipare sulmuese, Bekim Kuli. Deri në këto momente pjesa tjetër e skuadrës gëzon formë të mirë fizike dhe psikologjike dhe është e gatshme për të zbritur në fushë. Durrsakët e konsiderojnë ndeshje shumë të vështirë, por kanë besim tek një rezultat pozitiv.

Kapiteni i Teutës, Bledian Rizvani, shprehet se përgjegjësia është e madhe për ecurinë negative të skuadrës përgjatë këtij sezoni dhe në veçanti gjatë fazës së tretë të kampionatit. Gardiani thekson se dhjetë ndeshjet e mbetura për Teutën do të jenë si finale. "Jemi shumë të mërzitur, pasi po pësojmë humbje radhazi. Si kapiten i skuadrës më duhet t'u kërkoj falje tifozëve të Teutës dhe drejtuesve të saj, për paraqitjen e dobët përgjatë këtij sezoni. Humbjet e njëpasnjëshme na kanë vendosur në një situatë shumë të vështirë. Për këtë situatë duhet të mbajmë përgjegjësi të gjithë, sidomos ne lojtarët që jemi në fushën e lojës. Për herë të parë, pas shumë vitesh skuadra gjendet në një situatë aspak të këndshme, madje situatë alarmante do ta konsideroja. Pranoj se kemi bërë paraqitje të dobëta dhe për këtë duhet të mbajmë përgjegjësi. Sezoni nisi shumë keq për Teutën, fillimisht u eleminuam para kohe nga Kupa e Shqipërisë dhe situata ndërlikohet edhe më shumë me paraqitjet e dobëta përgjatë fazës së tretë të kampionatit", u shpreh fillimisht kapiteni durrsak.

Teuta së bashku me Apoloninë dhe Elbasanin janë tre skuadrat më të ekspozuara për të rënë nga kategoria. Por, pëveç paraqitjeve të dobëta, durrsakët shprehen se nuk e diskutojnë mbijetesën. Kapiteni Rizvani deklaroi se i vjen keq për paraqitjet e deritanishme të skuadrës, por mbijetesën nuk e diskuton. "Vërtet situata e skuadrës tonë nuk është e mirë, pasi renditemi në vendin e shtatë dhe me tre pikë diferencë nga Apolonia, por mbijetesën ne nuk e diskutojmë. Kemi edhe dhjetë ndeshje për të luajtur dhe këto përballje për Teutën do të jenë si finale. Apoloninë dhe Elbasanin, që janë kundërshtarët tanë direkt për objektivin që kemi i presim në fushën tonë dhe sigurisht që do të mboshtim. Në këto kushte, duke marë parasysh që ndodhemi tre pikë larg Apolonisë, mendoj se jemi shumë herë më komod se dy kundërshtarët. Por, ne na vjen keq se nuk po arrijmë të kënaqim dot tifozët", përfundoi Rizvani. Teuta, Apolonia dhe Elbasani janë tre skuadrat e ekspozuara që rrezikojnë të bien nga kategoria, por me tre pikë diferencë dhe faktin se të dy kundërshtarët i pret në "Niko Dovana", durrsakët e kanë më të lehtë se dy rivalët për të qëndruar mes më të mirave edhe për sezonin e ardhshëm.  

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/