4 gusht 2015 – Teuta, pas pushimit dyditor të dhënë nga stafi teknik, ka filluar stërvitjen e plotë në Durrës. Trajneri Magani ka në dispozicion të gjithë lojtarët me të cilët zhvilloi fazën përgatitore në Bullgari. Këto ditë, trajneri Magani do ta përgatisë ekipin për triangolaren e 7 gushtit me Partizanin dhe Frozinonen, që zhvillohet në stadiumin “Qemal Stafa”.
Sipas stafit teknik, lojtarët e afruar në këtë merkato kanë bindur plotësisht dhe janë gati për startin e sezonit. Gjatë kësaj faze përgatitore kanë spikatur Gashi, Mihani, Dita e Hila. Gjithsesi, i gjithë grupi ka treguar se është krijuar një Teutë pretendente. Skuadra durrsake në sezonin e ri pretendon të rreshtohet në pjesën e sipërme të renditjes, në mënyrë që të sigurojnë një vend për në Kupat e Europës.
Për kapitenin Bledian Rizvani, Teuta ka bërë një merkato cilësore, që e bën ekip pretendent.
“Teuta ka afruar lojtarë cilësorë në merkato, kështu që jemi një ekip pretendent, ndryshe nga ajo organikë që shfaqëm në edicionin e fundit. Teuta e këtij viti synon Kupat e Europës. Diferencat në kampionat janë të vogla, por klubi ka afruar disa lojtarë për të arritur aty ku duhet. Do të jetë një sezon i gjatë dhe i vështirë. E dimë shumë mirë që do të ketë konkurencë për kreun e kampionatit, si dhe për një vend në Kupat e Europës. Unë besoj se Teuta i ka forcat për t’i bërë ballë konkurrencës si në kampionat edhe në Kupën e Shqipërisë. Teuta ka treguar se zakonisht gabon pak në ndeshjet në shtëpi, gjë të cilën pritet ta përsosim edhe më shumë në sezonin e ri. Por për të qenë pretendentë duhet të grumbullojmë sa më shumë pikë edhe në ndeshjet në transfertë. Vetëm kështu mund t’i realizojmë me sukses objektivat sezonalë”, u shpreh Rizvani.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/