31 gusht 2015 – Gjashtë pikë në dy ndeshje dhe Teuta është kryesuese e kampionatit të Kategorisë Superiore. Kapiteni dhe portieri i durrsakëve Bledian Rizvani ka treguar se çelësi i fitoreve të Teutës janë afrimet cilësore dhe grinta që skuadra ka brenda saj.
“Jam i lumtur për fitoren e ndeshjes, e cila na bën krenarë. Kemi luajtur takime që nuk janë të lehta as në letër, por as në fushë. Mos harroni, kemi pasur përballë ekipe me shumë traditë në futbollin shqiptar të tilla si Vllaznia e Flamurtarit, të cilat ne i mundëm. Detyra jonë është të marrim maksimumin e mundshëm nga të gjitha ndeshjet. Kemi një grup që pretendon, djem të rinj dhe me shumë grintë. Unë besoj se do të jetë një ndër kampionatet më të bukura këtë sezon. Ekipet janë përforcuar me lojtarë cilësorë, ndërsa si Teutë do të shikojmë ecurinë tonë duke pretenduar të marrim atë që na takon. As mua dhe as të tjerët nuk na tremb konkurrenca”, ka thënë Rizvani.
Sipas Rizvanit Teuta e ka merituar fitoren dhe njëkohësisht vendin e parë në renditje: “Nuk e prisnim një nisje të tillë të sezonit. Skuadra është e karikuar dhe ne jemi të kënaqur që e kemi nisur kështu kampionatin.”
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/